Malaj përgënjeshtron: Akuzat për keqpërdorim, plotësisht të pabaza
Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër reagon me një përgënjeshtrim të një artikull që është publikuar këto ditë në mediet e Prishtinës. Në atë artikull ambasadori Naim Malaj akuzohet për keqpërdorimin e një shume parash.
Në përgënjeshtrimin që Malaj ua ka dërguar me këtë rast medieve në gjuhën shqipe, thuhet: “Së pari Ambasada e Republikës së Kosovës ne Bernë konstaton me habi lajmin e botuar ne disa media se gjate vitit 2011 janë “keqpërdorur ose avulluar” 40 mije euro në ambasadën tonë. Ky lajm nuk është aspak i vërtetë dhe plotësisht tendencioz.
Gjatë vitit 2011 ambasada jonë në Bernë i është nënshtruar kontrollit financiar nga dy auditorë të ardhur nga Zyra e Auditorit te Përgjithshëm në Prishtinë.
Në raportin e tij për vitin 2011 (Nr. dokumentit: 21.18.1-2011-08 faqe 22 ), rreth të hyrave dhe shpenzimeve financiare në Ambasadën tonë në Bernë, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, nën piken 6.6.3 rreth Shpenzimeve Operacionale jep konstatimin në vijim:
`Sipas raporteve financiare të përgatitura nga Ambasada në Bernë, shpenzimet e vitit 2011 arrijnë vlerën 285,799€.
Pagesa e shpenzimeve bëhet nga të hyrat e inkasuara prej taksave konsullore si dhe mjeteve financiare që MPJ ua dërgon në llogarinë bankare.
Nga krahasimi i shpenzimeve të raportuara me raportin bankar, është konstatuar se vlerat përputhen plotësisht`.
Ky raport mund të konsultohet nga çdo kush në webfaqen zyrtare : http://www.oag-rks.org/repository/docs/RaportiAuditimit_MPJ_2011_Shqip_621240.pdf
Nisur nga këto fakte, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, përgënjeshtron kategorikisht këtë lajm si të pavërtetë dhe të pabazuar”, thuhet në reagimin e dërguar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë.


