Uji Dea

Oligarkët kosovarë të sanksionohen si Dodiku

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Sikur është raportuar në medie, gjatë dy ditëve të kaluara, SHBAtë e kanë zyrtarizuar vendimin që të aplikohen sanksione dhe masë e ashpër izolimi kundër një zyrtari të lartë të shtetit, presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkak të rrezikimit të paqes, në të cilën është investuar shumë në këtë vend

Izolimi ndërkombëtar i liderëve të korruptuar dhe konfliktnxitës

Projektet e nisura në Ballkan, në rrezik nga liderët e inkriminuar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Sikur është raportuar në medie, gjatë dy ditëve të kaluara, SHBAtë e kanë zyrtarizuar vendimin që të aplikohen sanksione dhe masë e ashpër izolimi kundër një zyrtari të lartë të shtetit, presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkak të rrezikimit të paqes, në të cilën është investuar shumë në këtë vend. Një shembull i tillë duket se mund të ndiqet edhe në vendet e tjera, si Kosova, ndaj atyre liderëve që bëhen pengesë e shtetndërtimit dhe sundimit të ligjit. Në favor të një izolimi të tillë edhe ndaj zyrtarëve kosovarë të të gjitha niveleve, që dyshohen për korrupsion, deklarohen analistë dhe përfaqësues të partive politike. Ata thonë se një tolerancë e tejzgjatur ndaj tyre po ndodh, duke besuar se do të jetë qytetari i Kosovës ai që do t’i ndëshkojë me votë këta njerëz të papërgjegjshëm, ngase izolimi i tyre ndërkombëtar do ta rrënonte së tepërmi edhe imazhin e shtetit të ri të Kosovës, për të cilin është investuar dhe vazhdon të investohet nga miqtë ndërkombëtarë.

Analisti politik, Arsim Haziri, thotë se një model i izolimit dhe ndëshkimit për liderët e korruptuar të Kosovës do të duhej gjetur nga ndërkombëtarët, për shkak të dëmit të madh që i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë shtetit, duke vazhduar të jenë të lidhur me krimin dhe korrupsionin.

Mobi Casa

Keqbërësit nuk duhet të tolerohen

Sipas Hazirit, akoma po ndodh një lloj tolerance dhe amnistie e paarsyeshme, që gjithsesi nuk është në interesin qytetar. “Në rastin e Kosovës, faktori ndërkombëtar, përkundur investimit kolosal që e kishte dhënë, dhe në vazhdimësi e bëjnë, nuk kanë aplikuar një standard, siç kohëve të fundit Ministria e Financave e SHBA-së e bën në drejtim të presidentit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Autoriteti ekonomik i ka dhënë sanksione presidentit serb, vetëm pse ka tejkaluar pikat e Marrëveshjes së Dejtonit. Kjo masë është ndërmarrë për shkak të obstruksioneve që i ka bërë Dodiku zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i kishte dhënë fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë”, është shprehur ai. “Unë konsideroj se politika e faktorit ndërkombëtar edhe ndaj elitës politike kosovare, e cila mban përgjegjësi si politike dhe juridike, duhet automatikisht të ndryshojë dhe të marrë formë veprimi siç i bëri Dodikut në Bosnjë dhe Hercegovinë, t’i vihen sanksione. Kosova në çdo aspekt është produkt i pakontestueshëm i faktorit ndërkombëtar, respektivisht SHBA-së, dhe duke marrë në konsideratë tërë financimin amerikan si politik, ashtu edhe ekonomik, klasa politike, e cila pretendohet se ka çrregulluar vijën funksionale duhet urgjentisht të marrë sanksione të tipit Dodik. Pa shprehjen e sanksioneve politike dhe juridike, Kosova vështirë se sheh zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshmërisë si politike, ashtu edhe ekonomike”, theksoi Haziri. Sipas tij, rasti ‘Dodik’ ndoshta mund të jetë edhe si përfundim analogjik me rastin e funksionalizimit të Gjykatës Speciale, e cila me gjasë do t’i përfshijë të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për vrasjet dhe keqpërdorimet e ndryshme.

Ruajtja e rendit demokratik

Por, një masë të ngjashme ndëshkimi nga miqtë ndërkombëtarë ndaj atyre që veprojnë në dëm të investimit të madh në shtetndërtim, me një model si kundër Dodikut në Republikën Serbe, është edhe politologu Bejtullah Ibrahimi. “Sanksionet e SHBA-së, dhënë presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, janë një pasqyrë shumë e qartë që miqtë ndërkombëtarë, me investimin e tyre të fuqishëm dëshirojnë të sjellin rezultat dhe produktivitet në qeverisje të mirë dhe me zero tolerancë ndaj së keqes, edhe ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi ai. “Këto mesazhe duhet kuptuar dhe shikuar shumë drejt dhe me kujdes të shtuar, sepse në vendet ku investon SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet të ketë fryme demokratike të qeverisjes konform vendeve përkatëse, sepse ky është rendi demokratik botëror, i cili duhet ndjekur, ku realisht këtë sistem dhe këtë rend e kemi përqafuar edhe ne me dëshirë”, potencoi më tej Ibrahimi. “Mospërfillja e këtyre mesazheve shumë të qarta të tipit ‘Dodik’, nga ana e institucioneve tona, bart në vete një rrezik shumë të madh në rrugëtimin tonë. Është shumë normale që nga miqtë tanë ndërkombëtarë, veçmas SHBA-ja, si një fuqi botërore dhe dirigjuese e demokracisë në botë, të japin kësi lloj udhëzimesh apo edhe të ushtrojnë trysni, sepse në pyetje është një investim kapital, strategjik dhe politik i tyre”, tha Ibrahimi për “Kosova Sot”.