Udhët e çlirimit
Nga Blerim Shala – Libri “Rrëfime të përpjekjes” bashkon në një vend protagonistë të ndryshëm të këtij rrugëtimi: publicistë dhe gazetarë, ushtarakë dhe luftëtarë, politikanë dhe mjekë, të tre brezave të ndryshëm, të dy krahëve (politik dhe ushtarak), të një lëvizjeje të vetme, për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Në ballë të librit më të ri të Adriatik Kelmendit, “Rrëfime të përpjekjes”, gjendet përkushtimi të cilin autori ua dedikon dy djemve të tij. Aty shkruhet: “Ta dinë se prej nga jemi nisur, ta dinë ku duhet të arrijnë”.
Në këtë libër janë gjithsej dymbëdhjetë intervista me pesëmbëdhjetë bashkëbisedues, në të cilat, falë një mjeshtërie të rrallë të autorit për ta dyzuar një rrëfim autentik me një kuptimësi të mirëfilltë të tij, kallëzohet rrugëtimi i shqiptarëve, i cili njohu në vitet më të rënda të decenies së fundit të shekullit XX edhe mundësinë e shfarosjes kombëtare, edhe atë të ngadhënjimit mbi historinë e trashëguar për njëqind vjet me radhë, që na bënte humbës dhe të dështuar në këto anë të Evropës.
Ne fituam pra atë që e kishim merituar një shekull më parë. U bëmë të lirë si popull dhe si vend, dhe e bëmë lirinë shtet, si qytetarë të Republikës së Kosovës.
Libri ‘Rrëfime të përpjekjes” bashkon në një vend protagonistë të ndryshëm të këtij rrugëtimi: publicistë dhe gazetarë, ushtarakë dhe luftëtarë, politikanë dhe mjekë, të tre brezave të ndryshëm, të dy krahëve (politik dhe ushtarak), të një lëvizjeje të vetme, për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Këta të gjithë së bashku, në mënyra fare të veçanta, krejtësisht subjektive, lidhën fatin e tyre me fatin e përgjithshëm objektiv të shqiptarëve të Kosovës.
Të gjithë këta, natyrisht, dhe shumë emra të tjerë të përveçëm që po ashtu i kanë rrëfimet e tyre të cilat do të duhej t’i përjetësonin në librat e këtij lloji, nuk do të bënin shumë, pa pasur përkrahjen e atij kosovari të veçantë, atij kosovari anonim, i cili bëri ndryshimin e madh të transformimit të një mase anonime, në një komb politik që zhbën kobin e historisë dhe krijon historinë e re për vendin e tij.
Rrëfimi i këtij kosovari shfaqet si kallëzim i një njeriu që nuk njeh tjetër identitet për vete pos atij që ndërlidh kombëtaren e lindur me lirinë e arritur me çdo kusht.
Jetësimi i kësaj lirie u bë nëpër burgje dhe varreza, demonstrata shembullore demokratike dhe luftë për çlirimin e vendit, pluralizëm politik dhe sistem paralel të funksionimit nën okupim, kapërcim të mentalitetit të trashëguar të ndasive të të gjitha llojeve dhe bashkim politik për shpëtimin e vendit që u bë Shtet dhe u bë Atdhe.
Kur libri “Rrëfime të përpjekjes” i Adriatikut lexohet sot, në qershorin e vitit 2015, kur sërish kthehemi prej fillimit dhe me ‘Makinën e kohës” që na ofron autori, përmes këtyre rrëfimeve ngjitemi sërish përpjetës së madhe historike dhe politike, e cila në kulmin e saj e bëri Kosovën fushëbetejë botërore të përplasjes të së mirës dhe të së keqes, për ne, pra, që jemi të mbijetuarit e këtij rrëfimi të madh, mbase, dy pyetje shpërthejnë:
Së pari, si është e mundur që ditëm prej ku u nisëm dhe ku duhet të arrijmë, atëherë kur nuk kishim gjë në dorë, pos dijes së qartë dhe vullnetit të jashtëzakonshëm, atëherë kur nuk ishte, fillimisht, askush me ne, për të mbërritur pastaj në stadin kur i gjithë Perëndimi u bë bashkë për të luftuar me ne dhe për ne?
Së dyti, qysh është e mundur që gjithë këtë vlerë historike dhe politike, të krijuar me djersë, lot dhe gjak, me sakrifica të të gjitha llojeve, e cila u bashkua në vlerën sipërore të lirisë dhe të shtetit, po e dëmtojmë tash me aq zell, me aq mund, me aq këmbëngulje?
Mbase kjo pyetja e dytë mund të jetë një ftesë publike për Adriatikun, për ta bërë një tjetër libër me intervista dhe rrëfime të reja, pas dy vëllimeve të tij të deritashme, “Kapërcimi i Rubikonit drejt pavarësisë” dhe “Rrëfime të përpjekjes”, ku ai dhe bashkëbiseduesit e tij na treguan se si u mbërritën dy caqe madhore: Çlirimi dhe Shteti.
Ka mbetur pa u mbërri caku i tretë: Ai i bërjes së Kosovës Evropë dhe Perëndim, në kuptimin politik, ekonomik, kulturor.
Pa e jetësuar këtë cak, nëse këtu sërish i kthehem dedikimit të fillimit të librit “Rrëfime të përpjekjes” të Adriatik Kelmendit, nuk do të dimë ku duhet të arrijmë.
(Fjala e autorit me rastin e promovimit të librit “Rrëfime të përpjekjes” të Adriatik Kelmendit)
http://koha.net/?id=31&o=710


