Mobi Casa

Me hapa brreshke drejt BE-së

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Pamundësia e kultivimit të një dialogu të mirëfilltë politik në institucione, mes pozitës dhe opozitës, për shkak të polarizimit të skenës politike në vend, sipas njohësve të fushës së sundimit të ligjit, paraqet rrezik serioz që Kosova të bllokohet dhe të mbetet tepër mbrapa në rrugën e integrimeve evropiane.

Rrugëtimi evropian has në pengesa të forta

Pamundësia e kultivimit të një dialogu të mirëfilltë politik në institucione, mes pozitës dhe opozitës, për shkak të polarizimit të skenës politike në vend, sipas njohësve të fushës së sundimit të ligjit, paraqet rrezik serioz që Kosova të bllokohet dhe të mbetet tepër mbrapa në rrugën e integrimeve evropiane. Parashikimi i një krize të tillë bazohet në faktin se akoma kemi tensione pozitë-opozitë dhe nuk ka një konsensus nga politika për të gjetur zgjidhje për interesat madhore të shtetit, duke përfshirë edhe atë për pastrimin e politikës dhe të të gjitha institucioneve të shtetit të kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe për ta reformuar e pastruar drejtësinë për të pasur sundim të fortë të ligjit.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka pohuar se shteti i Kosovës është në rrezik serioz dhe me realitetin që po krijon në terren po i humb edhe miqtë e tij. Nga ana tjetër, profesor Riza Smaka thotë se ndarjet mes pozitës dhe opozitës janë aq të mëdha dhe aq substanciale që është e paimagjinueshme mundësia e përafrimit dhe arritjes së ndonjë konsensusi. Sipas tij, është spektri politik qeveritar që i ka sjell shumë dëme vendit dhe tani opozita nuk ka së çka të negociojë. “Nërethanat aktuale të imponuara me rigjiditetin e arrogancën qeveritare pothuajse nuk është e mundur që ndërmjet pushtetarëve qeveritarë apo pozitës në një anë dhe opozitës në anën tjetër të arrihet ndonjë marrëveshjeje parimore si bazë e koordinimit, sinkronizimit dhe harmonizimit të ndërsjellë të pikëpamjeve, qëndrimeve e opinioneve politike”, u shpreh ai.

United Hospital

Demarkacioni dhe Asociacioni i mbesin në fyt Qeverisë

Sipas Smakës, nuk mund të ketë kompromis veçanërisht për çështje fundamentale çfarë është Demarkacioni kufitar i vendit tonë me Malin e Zi. “Përderisa opozita parlamentare, e mbështetur fuqishëm nga shoqëria civile, një pjesë e konsideruar e klasës akademike dhe mbi 200 000 qytetarë peticonistë në formë edhe të publikimeve profesionale e shkencore, si dhe të protestave të gjëra, nuk kërkojnë asgjë tjetër pos rishikimit kritik e faktografik të marrëveshjes për Demarkacionin të cilin akt as Qeveria e Malit të Zi nuk e kundërshton, Qeveria e Kosovës, me një shpërfillje të paparë, implicite, e refuzon atë veprim të nevojshëm e të arsyeshëm, që linja kufitare kosovare-malazeze të caktohej njëherë e mirë, e hiç më tepër as më pak se në kufijtë administrativë nga viti 1945, të cilët si të tillë janë pranuar edhe ndërkombëtarisht dhe deri sot asnjëherë nuk janë ndryshuar në procedurë ligjore”, theksoi ai. “Ose përderisa opozita parlamentare e kundërshtonte me bazë Marrëveshjen për Asociacionin dhe ndikonte shkelje kushtetutare konkrete, Qeveria po ashtu e shpërfillte me përbuzje të njëjtën, përderisa edhe Gjykata Kushtetuese konkludoi se në rastin e parafimit të asaj marrëveshjeje qenkan shkaktuar duzina shkelje kushtetutare, në një anë, por deri sot asnjëherë as Qeveria, madje as Kuvendi, nuk e hapën çështjen e përgjegjësisë për cenimin e ligjit suprem të shtetit, Kushtetutës”, potencoi më tutje Smaka.

Propozohet një lëvizje e re

Sociologu Fadil Maloku thotë se për ta zgjidhur këtë nyje, që tash për tash është ngatërruar keq, Kosova duhet të ketë një rifreskim politik. “Kosova, si një shtet “sui generis” i ri, që gjendet ende në një proces të vetëkërkimit, verifikimit, vetëdëshmimit dhe organizimit të jetës shtetërore dhe asaj sociale, duket që ka nevojë edhe për një nxitje tjetër të re, që shquhet dhe identifikohet si deliberalizim. Deliberalizimi do të ndihmonte pa mëdyshje jo vetëm identifikimin, por edhe qartësimin e disa çështjeve ekzistenciale që i takojnë sferës së interesit kombëtar, siç janë: Asociacioni, Demarkacioni i qartë i kufijve me Serbinë, heqja e dilemave rreth (mos)bashkimit me Shqipërinë, ndarja e Kosovës, hyrja në BE, profilizimi kulturor dhe ideologjik, konsolidimi i demokracisë, etj. Pra, një seri çështjesh fondamentale, të cilat në periudhat e ardhshme (dez)integruese në rajon dhe më gjerë do të mund të shërbenin si përgjigje adekuate dhe koherente me kërkesat e kohës”, theksoi ai. “Duke parë që shumica e objektivave kombëtare (demokracia, sovraniteti, pavarësia) dhe atyre qytetare (barazia, drejtësia, mirëqenia, etj. ) nuk u arritën as përmes “lëvizjes paqësore” (LDK-n), e as “lëvizjen e luftës” (PDK-në), atëherë formimi i një “lëvizjeje” të re që do të përmbushë këto objektiva dhe katarsisin e nevojshëm gjithëshqiptar duket se është i nevojshëm dhe paevitueshëm”, u shpreh më tutje Maloku.”Pra, një lëvizje e re, me përmbajtje identike alternative, sikurse ajo e viteve 90-ta dhe ajo e fundshekullit të kaluar, që arritën të përmbysin mjeshtërisht dhe në stilin e një katarsisi; POLITIK (një alternativë obskurante qeverisëse), SOCIAL (një raport tërësisht ndryshe me qytetarinë), e sidomos EKONOMIK (një modeli të ri të barazisë dhe drejtësisë) rrethanat e kontaminuara, krizën morale, korruptimin e sistemit dhe vlerat e formacionit komunist”, tha Fadil Maloku për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se kjo lloj lëvizje e re alternative na duhet fillimisht në Kosovë shkaku i improvizimit, që partitë dhe elitat politike i bënë; shtetësisë (së paqenë); sovranitetit (të cunguar) dhe demokracisë (së munguar), gjatë gjithë viteve të pasluftës, për ta vazhduar më tutje në Shqipëri dhe në Maqedoni./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.