Zhgënjimi i “Teatrit të Babës”
Në natën e realizimit të ëndrrës rinore, po e sfidonte realiteti. Gjithçka ishte përgatitur me kujdes. Provat e përgjithshme ishin kryer me sukses. Enver Petrovci kishte kontrolluar edhe një herë në detaje aspektet teknike të zërimit e ndriçimit. Aktorët po prisnin prapa skenës të hapej sipari dhe të shkelnin në shfaqjen e parë në “Teatrin e Babës”. Por Petrovcit s’i zihej vendi vend.
“Ëndërr e kam pasur gjithnjë me hap teatër, sepse mendoj se di me hap teatër”, shpalos Petrovci planet e tij rinore të viteve shtatëdhjetë. Sa ishte student në Akademinë e Arteve në Beograd kishte nisur t’i realizohej dëshira. Ai bashkë me katër shokë studentë hapën teatrin “N’oborr” më 1974, në kryeqytetin e Jugosllavisë komuniste. Të njëjtin plan synonte ta realizonte në Prishtinë, shkruan sot “E diela me Koha Ditore”.
Shenjat e para
“Edhe ajo dëshirë për me hap teatër në Kosovë kurrë nuk më është shuar”, thotë ai. Këtë do ta thoshte publikisht edhe në intervistën e parë në “Zërin e Rinisë”. “Ka qenë intervistë e shkurtër, por e di se kam thënë se ëndërr e kam me hap një teatër për të rinj dhe fëmijë”.
E kishte menduar më të lehtë hapjen e teatrit privat pas luftës. Shtëpinë do ta shndërronte në objekt kulture. Dritat ishin ndezur. Gjithçka ishte gati. Por regjisori kishte edhe detyrën e mikpritësit në teatrin e parë privat në Kosovë.
Ishte siguruar vetë që ftesat të arrinin në adresat e duhura. Megjithatë, gjysma e sallës prej rreth njëqind karrigesh në gjashtë radhë ishte e zbrazur. Shumica e mysafirëve të rehatuar ishin miq të huaj që punonin në misionet ndërkombëtare në Kosovë. Shumica e politikanëve të ftuar kosovarë nuk dukeshin askund./koha/


