Uji Dea

Raça, shkencëtari që hapi një faqe të re në historiografinë shqiptare

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – Si njeri i urtë, punëtor, studiues i zellshëm e koleg i mirë, është kujtuar historiani Shkëlzen Raça. Kontributi shkencor i tij është vlerësuar lart në përvjetorin e parë të vdekjes. Ish-punonjësi i Institutit Albanologjik të Prishtinës ka dhënë një kontribut të veçantë në studimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Prej arritjeve më të mëdha të profesor Raçës ishin rezultatet kërkimore shkencore të zbulimit të “Evëtarit” të dytë të Naum Veqilharxhit, nxjerrja në dritë e të cilit e ka plotësuar kulturën shqiptare të periudhës së Rilindjes.

Për nder të tij, IAP-ja të mërkurën ka mbajtur tryezën shkencore “Kontributi i prof. dr. Shkëlzen Raçës në historiografinë shqiptare dhe ballkanike”.

Historiania nga Shqipëria, Ledia Dushku, ka thënë se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve identifikojnë natyrën e studimeve të profesorit Raçës, i cili vdiq në moshën 63-vjeçare.

“Ai është historiani i parë shqiptar që iu rrek tërësisht kësaj tematike duke e bërë pjesë thelbësore të librave të tij. Deri në atë moment trajtimi i marrëdhënieve mes dy fqinjëve nuk kishte qenë qëllim në vete për historiografinë shqiptare”, ka thënë Dushku.

Sipas saj, para se Raça t’i futej studimit për marrëdhëniet shqiptaro-greke, ato ishin trajtuar tërthorazi në kuadrin e historisë së Shqipërisë dhe kryesisht në ndikimin e paragjykimeve egoiste të kushtëzuara nga krenaria e theksuar kombëtare.

“Profesori i nderuar në të dy librat e tij, ‘Marrëdhënie shqiptaro-greke 1829 -1881’ dhe ‘Gjurmime në historinë shqiptare’ ka dalë jashtë këtyre kufizimeve duke pasuruar lëmin e studimeve historike në trajtimin real në fushën e marrëdhënieve”, ka thënë Dushku, tek ka shpalosur kumtesën e saj “Marrëdhëniet shqiptaro-greke në këndvështrimin e profesor Shkëlzen Raçës”.

Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi ka thënë se kontributi më i madh i Raçës në studimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke është në veprën “Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi në shekujt XII-XVI”, që është botuar më 2004.

“Është një studim i thelluar që merr në shqyrtim një nga çështjet thelbësore të takimit të popullit shqiptar me atë grek, e vetmja monografi mbi këtë temë e realizuar nga një autor shqiptar”, ka thënë Xhufi.

Mobi Casa

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se përgjithësisht Shkëlzen Raça i priste qetë sfidat jetësore e profesionale, gjithnjë me një maturi të rrallë dhe racionalitet në veprime.

“Nuk bënte pjesë në grupin e atyre karaktereve njerëzore që ekzaltohen ose dëshpërohen lehtazi, as fluturonte dhe as zvarritej, kishte ritmin e tij të ecjes nëpër kohë”, ka thënë Matoshi.

Ka kujtuar që Raça kishte filluar punën në IAP në dhjetorin e vitit 1977 dhe ishte shembulli i harmonisë, balancës e ndërmjet dimensionit shpirtëror dhe koncepteve vetjake etike.

“Nuk qe aq i fuqishëm sa t’iu impononte çfarëdo qoftë të tjerëve, por gjithsesi ishte mjaftueshëm i fuqishëm sa ta sundonte vetveten, ta mbante të lidhur për parimësinë, për etikën e tij njerëzore e profesionale si shenjën më identifikuese e karakterit të tij”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në IAP, ka thënë se për Raçën është mirë e ditur se në rrethet shkencore shqiptare dhe ballkanike ishte dhe vazhdon të jetë i njohur si ekspert në fushën e raporteve shqiptaro-greke, duke filluar që nga periudha mesjetare, ajo e Rilindjes Kombëtare e deri në kohën ndërmjet dy luftërave botërore.

“Pra, në shkrimet e tij ai përfshinte një histori pesëshekullore të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy fqinjëve homerikë, fillimisht duke i rikrijuar tablotë historike, që ndryshe të pashkruara dhe të paargumentuara, ato jo vetëm se mund të fshiheshin nga kujtesa historike, por edhe mund të shërbenin si armë propagandistike dhe politike e historianëve nacionalistë”, ka thënën Krasniqi. Sipas tij, Raça para lexuesit ka sjellë frymën e mirëkuptimit, të afrimit dhe të tolerancës, duke kontribuuar në një anë në unitetin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, por edhe të afrimit me fqinjët grekë.

Gjatë tryezës shkencore për veprimtarinë dhe studimet e Raçës kanë folur edhe Nuredin Ahmeti e Dalibor Jovanovski. Krejt në fillim është shfaqur dokumentari “Një jetë kushtuar dijes shqiptare” që i është kushtuar profesorit të ndjerë nga i biri i tij, Laureat Raça. E nxënësi i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Arsim Gashi, ka interpretuar me violinë në nderim të veprës së Raçës.

© KOHA Ditore

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.