UBT

Ditarin që s`e shkrova I.

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

1. (mund të ketë qenë e hënë), s’do t’i harroj kurrë ato re lotësh, dhe sheshet me bubullima

pranverën e ndaluar në stinën time prej gjaku dhe ëndrre
asfaltin e pikturuar me sllogane ylberësh
faqe të shkruara nëpër pluhur mjegulle
betimet në lëvore lisash të prerë murmurime
a në xhama vitrinash me vrima
buzëqeshjet e ngrira në udhët e jetës
kejzi të bardha virgjërie për vashat arbëreshe
Yjësi Kumtri në kupën e qiellit
temperaturë e ngrohtë toke
frymëmarrje të lidhura nyje
udhëkryqeve me avull betoni
valvita shaminë dritareve pa diell
kur vetmia ishte racion i vetëm, për mëngjes, drekë dhe darkë
dhe lotët shkrepën si strall këngësh netëve të gjata të dimrit
shkrova në gjethe ahu
të kalbura nëpër shishet e mbuluara nga palcë e dheut
shkrova në gurët rrokullisur
ditët, muajt, stinët
fare s’më kujtohen…
2. (mund të ketë qenë e martë)
gjithë verën e lume ra shi
në strehën prej kashte
keq u zura me vetën
me hijen e hapave përtej pasqyrës së thyer
ç’mu desh të bëhem arkeolog
hulumtues i Liburnës së fundosur në detin prej dhembjeje
guralec rrufeje maje hejze
partiturë e djegur për lirika zogjsh
Nuk paska më keq
se sa të luftosh me vesin tënd prej ëndërre
faqe të lagura letre fluturojnë
brenda gucës sime vetmitare
gjithë verën shiu s’u ndal
në dhomën time prej shprese
vetëm kjo poezi me rima mërzie
më ka mbetur si etje kujtimesh
mes pyllit të trilluar
ku ujqit mund të të shqyejnë orë e çast
3. (mund të ketë qenë e mërkurë)
më ndaluan të këndoj për zjarrin
për lojën me shkëndija ëndërre
t’i shoh fluturat si lëmojnë gushën e luleve te Shemëza e Vjetër
atje ku dredhëzat piqeshin para kohe
tinëzisht si hije jam strukur brenda shpirtit
kam folur drojshëm me gurët e shtëpisë
kam dëgjuar gjuhën e karkalecëve të territ
mjaullimën e maces së fshehur në biruca lagjështie
netët e gjata prej guace në Sibirin e fjalës
në kashtën time ishulli i Robinson Krusos
qershorët e ditëlindjeve, kalendarët,
rrjedhat e shkumbëzuara të lumit kanë ikur nën urë
krejt janë shlyerë me gomën e ftohtë prej harrese
vetëm vaji koral i fëmijëve si alegro trishtimi
më vjen pas,
sahatkullës i është ndalur ora dhe gongu i mesnatës zhurmon gabimisht
pirgut përtej dritares i janë mekur këmbanat
copën e bukës e ngjyja në ziftet e shpresës
të vjellat e akacieve qindvjeçare
Zot në dorën tënde
më mbrojë nga helmi dëshprues i gjarpërit në gjakun tim…
m’i ruaj fëmijët nga dorë e njeriut të keq

4. (mund të ketë qenë e enjte)
nuk ka gëzim më të madh
se kur takon njerëzit që të mungojnë
sonte u bëra më i fortë se graniti
kur i fusin tritolin nën damarë
tërë natën Lorka më rrëfeu për pikëllimin
dheun pa hënë mbi Kordovë
Kafka për tërmetin dhe brengat
për t’i qetësuar gjerat që dridhen nëpër dhomë
Markezi për magjinë e një shekulli plot vetmi
për letrat e pashkruara të kolenelit, dashuritë në kohë të liga

Mobi Casa

qirinjtë rrëfana nate në kashtën time
Neroni më foli për fuqinë e zemërimin kur e dogji Romën
Odiseu për hutitë gjatë kthimit në Itakë
Diogjeni për eklipsin e diellit
Eskili për Prometheun e lidhur
Bodleri po mblidhte Lulet e së keqës
Sandbergu recitonte poemën e njeriut me gishtërinj të prerë
Naimi ishte bërë pluhur para bukurisë
Kadare shfletonte faqet e kodrave mbi Gjirokastër si një kronikë guri
De Rada takonte Rinën dhe Milosaon
në brigjet e liqenit të Shkodrës…
kur më doli ëndërra
krejt më kishin braktisur
dhe fobia prej vdekjes
5. (mund të ketë qenë e premte)
nëna po qante e vetme te pragu i shtëpisë
e shkreta po piqte bukën në shporetin me teneqe
milicët i kishin kërkuar të më lind edhe një herë
po babai kishte vdekur para tre vjetësh…
6. (mund të ketë qenë e shtune)
muji gusht i ’86-tës
pikërisht prapa objektit të Gjykatës në Ferizaj
”Katërmbëdhjetë autorë” po digjeshin
në fakt shpirtrat e tyre, poezitë…
edhe drurët e njomë rreth të thatëve
shkrumb u bënë
shumëkush u ngroh me delir gëzimi
una rebele bëheshin zile ndërgjegjeje
njerëzit do të digjen një herë tjetër….
prapë duartrokitje skllevërish
kushedi..
nga hiri i poezisë a do të fluturojë Feniksi
7. (mund të ketë qenë e diel)
rrathët e Dantes më shtrëngojnë më keq se ferri
fjalët që i shkruaj i mbyll në shishe
me tapën e kujtimeve, si trupin tim i mbulojë vargjet me dhe
thonë synit të keq nuk i dihet
dashuria buron nga palcë e strallit
për t’u bërë shkëndijë në udhët e pashkelura
unë ushqej ëndërrën
për ta kalëruar këngën si urë shpëtimi mbi lumin e turbullt të fatit

8. (mund të ketë qenë prapë e hënë)
larg shtëpisë më erdhi lajmi
isha bërë prind
po buzëqeshjen e fëmijës nuk e pashë
vajin e foshnjës zemra ma ndjeu natyrisht
qe etja për jetë
sa shumë u gëzova këtë ditë me vapë
sa shumë të falenderova o Zot
në Krivollakun përcëllues
afër Velesit
edhe Vardari më bëhej se po shkon kah Prishtina
……
Xheladin Rexhepi
(1980-1990)

Shkëputur nga Libri që është në përgatitje e sipër për t’u botuar …BRITMË NË ËNDËRR

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.