Fundamenti

2014-a, viti i fajdexhinjve

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Enis Veliu – Viti 2014, pa dyshim se mund të konsiderohet fatlum për pronarë të bankave, por edhe për drejtuesit e institucioneve mikrofinanciare në vend, të cilët kanë arritur të shënojnë rekorde përfitimi, në shtetin më të varfër në Evropë.

Të parët (pronarët e bankave) që në vendin tonë kryesisht janë me kapital të huaj, e kanë trashur kuletën e tyre si asnjëherë më parë, apo më saktë që nga themelimi i sistemit bankar në vitin 1999.

Fitimi që ata kanë realizuar gjatë vitit që tashmë e kemi lënë pas, thuhet të jetë më i lartë se 60 milionë euro, apo gati dy herë më i lartë sa ai që kanë realizuar bankat në vitin 2013. Këtë profit bankat e realizuan falë normës së lartë të interesit, por edhe shtrenjtimit të vazhdueshëm të shërbimeve bankare. E karshi këtyre veprimeve Banka Qendrore e Kosovës gjithmonë e ka luajtur rolin e spektatorit.

Ndërkaq, të dytët (drejtuesit e institucioneve mikrofinanciare) në emër të normave të interesit, e që thuajse janë të njëjta me ato të fajdeve, kanë arritur në kulm të profitit ku vetëm për gjatë muajt e parë të vitit 2014, ato kanë arritur të realizojnë një profit prej 13,6 milionë euro, derisa vitin paraprak ato e mbyllën me bilanc final negativ.

Norma mesatare e interesit që këto të fundit e përdorin për kredi edhe më tutje vazhdon të jetë rreth 25 për qind.

Në të shumtën e rasteve këto në pamundësi të kthimit të mjeteve të tyre nga kreditorët, që kryesisht janë njerëz të varfër, atyre ua marrin edhe lopët, të cilat më pas i shesin për mish.

Po ashtu, edhe te bankat interesi në kredi për konsum ka qenë më i lartë se 10 për qind, por nëse bëhet fjalë për kredi për biznes kjo përqindje është gati edhe një herë më e lartë.

E në anën tjetër norma e interesit në depozita ka shënuar vlerën më të ulët të mundshme duke arritur në më pak se 0,5 %, prej rreth 5,5 % sa ishte një vit më parë.

Deri më tash shteti në vazhdimësi ka ofruar favore për bankat, por në anën tjetër këta të fundit asnjëherë nuk janë kujdesur për qytetarin. Gjithnjë janë munduar që sa më shumë ta rëndojnë atë me kamata të larta e taksa që nuk aplikohen thuajse askund, në asnjë vend normal.

FIDANISHTJA

Edhe më tutje mbetet paradoksal fakti kur vendi ynë prin në rajon për kamata. Ndërkaq, niveli i kredive të këqija po ashtu është më i ulëti në rajon.

Sipas të dhënave të fundit të siguruara nga Banka Botërore, shihet se në fund të vitit 2014 niveli i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar ishte 24,2 %, ndërsa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte rreth 16,6 %.

Pas Shqipërisë, nivelin më të lartë të kredive me probleme e ka Serbia me 23 %, e ndjekur nga Mali i Zi me 17,2 %. Vendet ku shkalla e kredive me probleme është më e ulët se mesatarja rajonale janë Bosnje-Hercegovina, me 15,5 %, Maqedonia me 11,3 %, ndërsa vendi me nivelin më të ulët të kredive me problem në rajon është Kosova me 8,2 %. Nivelet rekord të kredive me probleme në Evropë vazhdojnë t’i mbajnë shtetet që u goditën ashpër nga kriza financiare, duke filluar nga Qipro dhe Greqia, ku kreditë me probleme janë mbi nivelin 30 %. Nivele të larta të kredive me probleme kanë edhe Irlanda, me 25,3 %, Rumania me 22,3 % dhe Hungaria, Italia dhe Kroacia me rreth 16 %.

Deri më tash gjithmonë kanë ekzistuar dyshime se pronarët e bankave që bëjnë biznes në vendin tonë kanë një marrëveshje në heshtje për të ruajtur normën e lartë të interesit në kredi. Por, deri më tash një gjë e tillë nuk është dëshmuar asnjëherë.

Derisa ishte funksional Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kohë pas kohe niseshin hetime për të gjetur dëshmi për këtë qëllim, por fatkeqësisht raportet e tyre të fundit ishin vetëm sa për sy e faqe, apo sa për ta arsyetuar pagën e tyre të majme që e marrin nga arka e shtetit.

Mirëpo, edhe më tutje mbetet shqetësuese indiferenca e Bankës Qendrore të Kosovës karshi plaçkitjes që bankat dhe institucionet financiare po iu bëjnë qytetarëve të varfër të këtij shtetit.

Si në asnjë vend tjetër të rajonit, pagesa për shërbime bankare në sistemin bankar të Kosovës, rritur në nivelin maksimalin, ku për një pagesë bankare prej 5 euro, qytetari duhet t’i paguajë bankës një tarifë shërbimi prej 1.5 euro

Banka Qendrore si institucioni i vetëm për kontrollin dhe monitorimin e aktiviteteve të sektorit bankar, por edhe të atij mikrofinanciar në vend, duhet të zgjohet nga gjumi dhe të mbrojë qytetarët e këtij shteti, të cilët çdo ditë e më shumë po varfërohen.

Derisa situata vazhdon të jetë e njëjtë, bankierët do të rrisin sasinë e parave nëpër llogaritë e tyre. Ndërkaq, në anën tjetër qytetarët e varfër të këtij shteti do të humbin edhe shtëpitë që i kanë futur si hipotekë, për të garantuar kthimin e kredisë.