Të shmangësh tundimin
Dua vetëm t’ju them sa i lumtur ndihem këtu mes jush dhe sa i mallëngjyer nga nderi që më keni bërë duke më dhënë Çmimin Nobel për Letërsinë. Është hera e parë që duhet të mbaj një fjalim para kaq shumë njerëzve dhe ndiej njëfarë frike. Mund të mendohet se një ushtrim i tillë është diçka e natyrshme dhe e lehtë për një shkrimtar.
Por një shkrimtar – ose të paktën një romancier – ka shpesh marrëdhënie të vështira me fjalën. Dhe nëse kujtojmë ndarjen që bëhet në shkollë midis “me shkrim” dhe “me gojë”, një romancier ka më tepër dhunti me shkrim se me gojë.
Ai e ka për zakon të heshtë nëse dëshiron të përshkohet nga një atmosferë, ai duhet të shkrihet me turmën. Dëgjon bisedat pa rënë në sy, dhe nëse ndërhyn në këto të fundit, kjo ndodh për të bërë disa pyetje të matura me qëllim për të kuptuar më mirë burrat dhe gratë që e rrethojnë.
Fjala e tij është ngurruese, për shkak të zakonit të tij për të korrigjuar shkrimet. Sigurisht, pas shumë korrigjimesh, stili i tij duket i pastër. Por kur merr fjalën, ai nuk ka më mundësi të korrigjojë ngurrimet e tij. Përveç kësaj, unë i përkas një brezi ku fëmijët nuk lejoheshin të flisnin, me përjashtim të disa rasteve të rralla dhe me kusht që të kërkonin leje.
Por askush nuk ua vinte veshin dhe shumë shpesh u ndërpritej fjala. Ja përse disa prej nesh kanë vështirësi në të shprehur, herë ngurrojnë, herë flasin shumë shpejt, a thua se kanë frikë mos i ndërpresin. Sigurisht, prej këtej vjen dëshira për të shkruar, që edhe mua, si shumë të tjerë, më ka kapluar në të dalë të fëmijërisë.
Ju shpresoni që të rriturit t’ju lexojnë. Kështu, ata do të jenë të detyruar t’ju dëgjojnë pa ju ndërprerë dhe do të marrin vesh një herë e mirë gjithë çka mbani brenda.
Lajmi për këtë çmim m’u duk joreal dhe kisha nevojë të ngutshme të kuptoja përse më keni zgjedhur. Atë ditë, kurrë më parë nuk kisha kuptuar aq qartë se sa i verbër është një romancier karshi librave të tij dhe se lexuesit e tij dinë shumë më tepër se ai rreth asaj që ka shkruar.
Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes, vetëm në rastet kur korrigjon në dorëshkrim gabimet e sintaksës, përsëritjet apo kur heq një paragraf të tepërt. Ai ka një përfytyrim konfuz dhe të paplotë të librave të tij, ashtu si një piktor që pikturon një afresk në tavan, i shtrirë mbi skelë, punon detajet nga fare afër, pa pasur një ide të së tërës.
Punë e çuditshme dhe vetmitare kjo e të shkruarit. Ju përjetoni momente shkurajimi kur shkruani faqet e para të një romani. Çdo ditë keni përshtypjen se jeni në rrugë të gabuar. Dhe në këtë moment është i madh tundimi për t’u kthyer mbrapsht dhe për të marrë një rrugë tjetër. Nuk duhet rënë pre e këtij tundimi, por duhet vazhduar rruga.
Është pak si të jesh në timonin e një makine, në dimër, në një rrugë me akull, ku nuk duket asgjë. Ju nuk keni zgjidhje tjetër, nuk mund të ktheheni pas, duhet të vazhdoni t’i jepni para duke menduar se rruga do të përmirësohet dhe mjegulla do të shpërndahet.
Afër fundit të një libri, ju duket sikur ai fillon të shkëputet nga ju dhe po merr tashmë frymë i lirë, ashtu si fëmijët në shkollë, ditën e fundit para pushimeve verore. Të shpërqendruar dhe të zhurmshëm nuk e dëgjojnë më mësuesin.
Madje do të thosha që në momentin kur po shkruani paragrafët e fundit, libri iu shfaq njëfarë armiqësie, aq ngutet për t’u liruar nga ju.
Dhe ja, me të shkruar fjalën e fundit, ai largohet. Mori fund, ai nuk ka më nevojë për ju, ju ka harruar tashmë. Tani e tutje janë lexuesit që do ta bëjnë të jetojë.
Në këtë moment, ju ndieni një zbrazëti të madhe dhe ndjesinë se ju kanë braktisur. Dhe gjithashtu pakënaqësi për këtë lidhje mes librit dhe jush, që u këput shumë shpejt.
Pakënaqësia dhe ndjesia se diçka ka mbetur pa u bërë, ju shtyjnë të shkruani librin tjetër, për të rivendosur ekuilibrin, pa e arritur kurrë atë. Sa më shumë kalojnë vitet, librat ndjekin njëri-tjetrin dhe lexuesit këtë do “ta quajnë vepër”. Por ju vetë keni ndjesinë se ishte vetëm një ikje e gjatë nga diçka.
Po, lexuesi di më tepër rreth një libri se vetë autori. Mes romanit dhe lexuesit të tij, ndodh diçka e ngjashme me procesin e larjes së fotografive, ashtu si kryhej para erës digjitale. Në momentin e larjes në dhomën e errët, fotografia qartësohej pak nga pak.
Gjatë leximit të një romani, zhvillohet i njëjti proces kimik. Por, që të ekzistojë një marrëdhënie e tillë mes autorit dhe lexuesit të tij, duhet që romancieri të mos e sforcojë kurrë lexuesin – në kuptimin që thuhet për një këngëtar kur sforcon zërin e tij – por ta tërheqë pa u ndier dhe t’i lërë kohën e mjaftueshme që libri ta depërtojë pak nga pak, dhe kjo nëpërmjet një arti që ngjan me akupunkturën, ku mjafton të shpohen me gjilpërë disa vende të caktuara dhe rryma shpërhapet në sistemin nervor.
Kjo marrëdhënie intime dhe plotësuese mes romancierit dhe lexuesit të tij, besoj se ekziston edhe në botën muzikore. Unë gjithmonë kam menduar se të shkruarit është afër me muzikën, por shumë më pak i pastër se ajo, dhe gjithmonë i kam pasur zili muzikantët, të cilët më dukeshin se merreshin me një art të epërm ndaj romanit – dhe poetët që janë më afër muzikantëve se romancierët. Le Monde


