ARKATANA

Ushtrinë, sa më shpejt!

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Naser Sertolli – Menjëherë pas konstituimit të institucioneve qendrore, të Kuvendit dhe Qeverisë, prioritet kryesor i pushtetit të ri kosovar duhet të jetë hartimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për sigurinë e vendit.

Nuk duhet lënë gur pa lëvizur, e nëse është nevoja edhe të bëhen ndryshime të thella kushtetuese, në mënyrë që institucionet e fushës së sigurisë ta shtrijnë autoritetin e tyre në çdo pëllëmbë të territorit të Republikës.

Në këtë drejtim duhet që sa më parë të miratohet në Kuvend ligji për formimin e ushtrisë së Kosovës, fushëveprimi i së cilës nuk do të duhej të kufizohej në kohë e hapësirë.

Sigurisht, e gjithë kjo ndërmarrje duhet të bëhet në një bashkëpunim të ngushtë me faktorë relevantë ndërkombëtarë të fushës së sigurisë e të mbrojtjes, sidomos me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Nevoja për një ndërmarrje të këtillë është shtuar pas shpeshtimit të aktiviteteve ushtarake nga Serbia, të cilat konsiderohen si me potencial destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sidomos për Kosovën.

Duhet kujtuar këtu reklamimin e kapaciteteve ushtarake që kanë ardhur nga forcat speciale të ushtrisë serbe, të cilat krenoheshin se kanë raketa, me të cilat janë në gjendje “ta granatojnë Prishtinën”.

Kjo ka ndodhur në ditën kur në Beograd ishte organizuar paradë e madhe ushtarake në nderim të vizitës së presidentit të Federatës ruse, Vladimir Putin. Ndonëse autoritetet serbe kishin theksuar se parada ishte organizuar me rastin e përvjetorit të fitores ndaj fashizmit, gjithkush e ka kuptuar atë si shenjë e respektit më të lartë dhe besnikërisë së vëllazërisë ruso-serbe.

Fundamenti

Po ashtu, nuk duhet harruar manovrat e përbashkëta, të parat në histori, të ushtrisë ruse dhe asaj serbe, pak ditë më vonë, jo larg kufirit me Kosovën, nën kamuflazhin e përgatitjes për luftë kundër terrorizmit.

Për rrezikun për destabilizim që mund të vijë nga Serbia ditë më parë ka tërhequr vërejtjen edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Nuk habitem nëse Serbia hap një konflikt të ri”, ka thënë ajo, duke shfaqur shqetësimin se Beogradi mund të mos i përballojë trysnisë së Moskës dhe të instrumentalizohet prej saj për t’ua “përzier dorezat” perëndimorëve edhe në rajonin tonë pas rrëmujës që ka shkaktuar në Ukrainë, një rajon të së cilës e ka aneksuar në mars, dhe po mbështet kryengritjen separatiste në një rajon tjetër.

Këtë paralajmërim duhet marrë tepër seriozisht, ngaqë vjen nga udhëheqësi i një vendi lider në shkallë planeti, jo vetëm në aspektin ekonomik e ushtarak, por edhe atë të inteligjencës.

Dhe, serioziteti i paralajmërimit rritet sidomos kur dihet roli historik i Serbisë në nisjen e konflikteve rajonale e botërore.

A duhet të na kalojë pa përmendur se ishte pikërisht një serb, akti i të cilit nisi Luftën e Parë Botërore, gjatë të cilës janë vrarë rreth 18.6 milionë njerëz, gjysma e tyre civilë. A duhet ta kalojmë pa përmendur se Beogradi zyrtar mburret me këtë “hero” – Gavrilo Principin. Pastaj, a duhet të mos e kujtojmë rolin qendror të Serbisë në shkaktimin e luftërave në ish-Jugosllavi (1991-1999), më të përgjakshmet që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjatë këtyre luftërave në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, janë vrarë rreth 300.000 njerëz.

Prandaj, autoritetet e reja të Kosovës detyrë të parë duhet të kenë formimin e ushtrisë, jo për ta sfiduar Serbinë, por për ta plotësuar mozaikun e forcave të sigurisë, në mënyrë që vendi dhe qytetarët të ndihen më të sigurt në çdo cep të territorit dhe më të informuar në raste kërcënimesh.

Pas këtij hapi, e rëndësishme do të ishte ngritja e një mekanizmi, që do të përbëhej nga të gjitha segmentet e sigurisë, ushtria, policia, AKI-ja, KFOR-i, EULEX-i dhe të tjerat, i cili për aktivitete me potencial destabilizues të Serbisë (sikur veprimi i strukturave serbe të sigurisë në veri, në kufi, apo futja në territorin e Kosovës sikur po ndodh shpesh në Karaçevë), do t’i çonte informacione të përditësuara selisë së NATO-s, kryeqendrës evropiane – Brukselit, e sidomos Berlinit, të cilit duhet t’i kërkohet që ta paralajmërojë Beogradin, sepse, për këso punësh, Serbia e njeh vetëm gjuhën gjermane.