Mobi Casa

Një debat i frytshëm për “Dhuna në shkolla tona…”

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në Fakultetin e Edukimit, në Gjilan, u mbajt debati me mësimdhënës dhe shkollarë të meseve të ndryshme të komunës së Gjilanit, me temë “Dhuna në shkolla”. Këtë debat e organizoi Drejtoria e Arsimit e Gjilanit së bashku me Shoqatën e Pensionistëve të Punëtorëve Arsimorë të kësaj komune. Siç dihet, nuk ka shkolla që nuk ka dukuri negative apo dhunë. Si të evitohet dhuna, ishte debati i sotëm në Gjilan, i cili u përcjellë me interesim të madh nga punëtorët e arsimit dhe të rinjve shkollarë. Dihet, dhuna pengon procesin mësimor. Ajo pengon dhe shqetëson shoqërinë.

Në radhë të parë, ajo e “lëndon” shkollën dhe procesin mësimor. E zbeh edhe punën e aktivitetin e mësimdhënësve tanë. Prandaj, në shkollat tona ka lloj-lloj dhune. Dhuna në mes nxënës-nënës, nxënës huligan etj.

Ishte ky një debat i parë për temën në fjalë, i cili i tuboi një numër të madh të punëtorëve të arsimit e “staf” tjetër, të cilët, si një, u ndanë të kënaqur me ligjëratat e frytshme e tejet dobiprurëse të profesorëve tanë të dalluar të Fakultetit të Edukimit në Gjilanit.

Fillimisht, fjalën e parë e mori Nazmi Musa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Gjilanit, i cili tha se, po e fillojmë nga sot këtë debat që si temë ka dhunën në shkolla, sepse, siç po vërehet, kjo dukuri po na shqetëson neve, por edhe shoqërinë tonë.

I pari foli Shefik Haliti, profesor me përvojë, dhe tha se, dukuritë negative në shkolla tona çdo ditë e më tepër po marrin përmasa më të gjera. Kjo është evidente. S’mund t’i ikim kësaj dukurie, e cila po na shqetëson. “Ditëve të fundit, shtoi ai, -po flitet se nëpër shkolla tona ka dhunë që po shfaqet aty-për aty në mes nxënëse – nxënës dhe në mes nxënës – huliganë, por edhe në mes nxënësve e personelit mësimor. Kjo dukuri na obligon që ta parandalojmë sa më parë. Na shqetëson, për faktin se, në pamundësi që këto dukuri negative të evitohen me kohë nga vetë personeli arsimor apo drejtoria e shkollës, flitet se këtë dhunë nuk po mund ta zgjidh drejtoria apo organet e shkollës, por shkollat tona të shenjta po i ruan policia! Ja, kjo “dukuri” nuk po na tingëllon mirë. Policia nuk do të duhej të ishte në shkolla. Ajo duhet të jetë larg shkollës. Ajo e ka vendin aty ku duhet. Pra, me shfaqjen e policisë në shkolla, bien të gjitha organet shkollore, të cilat do të duhej ta evitonin dhunën ose problemin e shfaqur në shkollë. Pra, kjo flet qartë se nuk funksionojnë organet e sistemit edukativ e arsimor në shkolla., Pra, organet e shkollës s’kanë asgjë në dorë t’i largojnë e ti evitojnë këto dukuri negative. Nga kjo del mesazhi i qartë se, pak po punohet nëpër shkolla. Fare pak. Nuk mbahet ora kujdestarisë, nuk ftohen prindërit e fëmijëve në mbledhjet, por mungojnë edhe organizimet tjera pedagogjike e psikologjike. Kur punohet aq me shkollarë. Kur punohet, dhuna në shkolla i ka dyert mbyllura. S’ka ku shfaqet. Në qendër është nxënësi dhe arsimtari, por edhe prindërit. Sot, këto tri kënde mungojnë. Pra, mungojnë format e plota të shërbimeve të procesit mësimor shkollor. Në anën tjetër, shkollari ynë, ai i moshës fare të vogël, është i ngarkuar tej mase me libra. Ai, sot mbi supe mbanë 12 kg gjer në 13 kg. Ky është një problem në vete. Ankohen prindërit se fëmijët e tyre u dhemb trupi, kurrizi apo pjesët tjera të trupit. Kjo është një dhunë ndaj fëmijëve tanë”.

FIDANISHTJA

Jonuz Dërvodeli, profesor me 33 vjet përvojë pune në Fakultetin e Edukimit tha se, ne sot jemi të ftuar, natyrisht të punojmë e të japim çdo gjë nga vetja për të mirën e shoqërisë sonë, në përgjithësi. Pra, të punojmë për të mirën e shkollarëve tanë. “Nuk dua ta zgjasi shumë, por po ju them se, shkollat janë themeluar për të mirën e njerëzimit. Nuk ka nxënës të keq, por edhe nuk ka edhe mësimdhënës të keq. Ka jo punëtor, por ka edhe shkollarë përtac. Mësimdhënësi ynë duhet të ketë zotësi, përkushtim, por edhe prirje të natyrshme. Është e njohur thënia se, prindërit dijnë më shumë për jetën, ndërsa fëmijët tanë dijnë më shumë për teknologjinë. Kjo i përket kohës sot. Me këtë rast, unë dua të shoh ndryshime të mira në jetë, sepse, në këtë kohë, kur po flasim për dukurinë e shëmtuar në shkolla, dhunën, të jemi të qartë se na sot po jetojmë në tranzicion. Pra, në tranzicion shfaqen këto dukuri, të cilat do të duhej të evitohen dhe të shmangen nga shkolla e procesi mësimor”.

Në debat u angazhua edhe një 13-vjeçare nga shkolla fillore e Livoçit, Festina Kurteshi, e cila tha se, dhuna dhe dukuritë tjera negative nuk do të duhej të ekzistonin në shkolla tona. “Duhet të punojmë më shumë për ta evituar dhunën, e cila nuk na sjellë të mira, por gjëra të këqinja. Pra, dhuna në shkolla tona s’do të duhej të shfaqej në asnjë segment, e më së paku tek të rinjtë shkollarë, të cilët janë pjesë e shkollës –tempullit të dijes”.

Ndërsa Reshat Sahiti, drejtor në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” tha se, sa më shpejtë në shkolla tona të futen pedagogët dhe psikologët. Në mungesë të këtij kuadri mjaft të dobishëm, edhe shkollat janë në hall nga problemet që po paraqiten, e këto janë dhuna në forma të ndryshme. “Unë jam që shkollarët tanë të mirë të shpërblehen. Nga kjo e “mirë”, do të jetë shembull edhe për të tjerët se si duhet të sillet nxënësi në shkollë jo vetëm me shokë, por edhe me mësimdhënësit e tyre. Edhe ora mësimore do të duhej të jetë obligative. Ajo duhet të mbahet e ta ketë efektin për të mirën e fëmijëve tanë. Tash për tash, kjo që po ngjanë në shkolla tona, jo vetëm se nuk do të ishte e udhës të jetë, por me kalimin e kohës, do të evitohet dhe “gjendja” do të ndryshojë. Kuptohet, akoma jemi në tranzicion dhe vështirë e kemi ti përshtatemi kësaj jete, e cila është në ecje të shpejt”, tha R. Sahiti, drejtor.

Në fund, Nazmi Musa tha edhe këtë se, kjo që u debatua sot për dhunën në shkolla, do të ishte një mesazh i mirë i të gjithë neve, të cilët, nesër o ditëve tjera në vijim, ta përcjelli porosinë për të mirë të shkollës dhe shkollarëve tanë. “Ky ishte debat i parë, por kështu do të vazhdojmë edhe herave të tjera me tema të kësaj natyre, të cilat do ti angazhojmë ekspertët e këtyre lëmive për të ligjëruar për të mirën tonë. Punën do ta vazhdojmë, por edhe efekti nuk do të mungojë. U kemi borxh kësaj shoqërie, e cila po investon për të mirën e mirëqenies sonë.”, tha N. Musa, drejtor i Arsimit në Gjilan./tefik selimi/rajonipress/