ARKATANA

Mësime të demokracisë nga SHBA

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Më 4 nëntor 2014, në SHBA u zhvilluan zgjedhjet në të gjitha nivelet përveç nivelin presidencial. Ky proces ndryshe njihet edhe si zgjedhje të mesmandatit për shkak se zgjedhjet e mandatit konsiderohen ato që mbahen për president. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve në sistemin politik të SHBA-së është e rregulluar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të zyrtarëve publikë dhe është caktuar si e marta e parë e muajit nëntor.

Vitet e fundit Uashingtoni vazhdimisht ka përjetuar situata të bllokimit politik. Përderisa ndarja e pushteteve në SHBA është parim tashmë i njohur, ajo që është vërejtur më shumë kohët e fundit në politikën amerikane është polarizimi politik, që po avancon gjithmonë e më tepër që kur republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve para katër vjetësh dhe së fundi edhe në Senat.

Mbajtja e rregullt e zgjedhjeve në shumë nivele në SHBA na kujton faktin e thjeshtë se vullneti i qytetarëve dhe mbështetja nga ta kanë qenë shtyllat themelore të sistemit politik të ShBA-së që nga themelimi i këtij shteti. Jeane Kirkpatrick , ish-ambasador amerikan në Kombet e Bashkuara, ka theksuar se: “zgjedhjet demokratike nuk janë vetëm simbolike…ato janë edhe konkurruese, periodike, gjithëpërfshirëse, përfundimtare në të cilën qytetarët gëzojnë lirinë e gjerë që të kritikojë qeverinë…” Liria për të kritikuar qeverinë është e garantuar edhe me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së ShBA-së që garanton “lirinë e pakufizuar të fjalës dhe të shtypit”. Përmes këtij parimi, rreth 6 mijë kandidatë shpalosën programet dhe premtimet e tyre për pozitat publike. Kjo u mundësoi Republikanëve që të rimarrin kontrollin e Senatit pas 8 vjetësh. Republikanët gjithashtu konsoliduan shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe në garën për Guvernatorë të shteteve (ku u votua për 36 nga 50 postet e guvernatorëve).

Se demokracia amerikane është e bazuar në vullnetin e shumicës tregon edhe fakti se vullneti i qytetarëve dhe numrat janë determinues jo vetëm për nivelet qendrore (qoftë ato në nivel të shteteve apo në nivel federal) por edhe për zgjedhjen e mijëra zyrtarëve publikë të niveleve më të ulëta, si: distrikte shkollore, zv/guvernatorë, prokurorë të përgjithshëm, sekretarë të shteteve, kontrollorëve dhe komisionarëve të ndryshëm, drejtorë të thesarit etj.

Mobi Casa

Paralelisht me përzgjedhjen e zyrtarëve publikë, ky sistem politik, përmes vullnetit të shumicës voton edhe rreth propozimeve të ndryshme legjislative qofshin ato të nivelit lokal, qendror apo edhe amendamentim të kushtetutave të shteteve apo edhe vetë Kushtetutës së ShBA-së.

Ky proces demokratik, edhe pse nuk është sistem parlamentar, tregon rëndësinë e numrave dhe të shumicës për të mundësuar krijimin dhe funksionimin e institucioneve. Këto parime, në fakt, vlejnë edhe më shumë në një sistem parlamentar, ku është shumica në Kuvend ajo që determinon udhëheqjen me institucionet. Numrat, prandaj, kanë rëndësi jo vetëm në Kosovë.

Ky parim, sipas të cilit vendos shumica, është parim që vlen në çdo vend demokratik, ku demokracia nuk mbetet vetëm në nivel deklarativ por është e mishëruar në çdo vendim të institucioneve, por më së shumti në procesin zgjedhor. Prandaj çdo proces në Kosovë që mohon rëndësinë e numrave në Kuvend, rrezikon jo vetëm funksionimin e institucioneve, por edhe ndërtimin e demokracisë në vend, që tashmë është jo vetëm shumë e brishtë, por po rrezikohet në thelb nga tendencat e një udhëheqjeje me elemente të diktaturës.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ky shkrim është bërë për gazetën Tribuna)