Haziri e Shala në Zhegër, gjithçka gati për fillimin e ndërtimit të palestrës sportive
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kanë vizituar sot fshatin Zhegër, me qëllim të parapërgatitjes për fillimin e ndërtimit të palestrës së sporteve.
“Qëllimi i vizitës është përgatitja për fillimin e ndërtimin e palestrës së sporteve. Ne, poashtu, e vizituam edhe shtëpinë e kulturës, e cila është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë për shkak të mosmirëmbajtes. Do të punojmë bashkërisht me Ministrinë e Kulturës që në rishikim buxhetor ta sanojmë gjendjen. E falënderoj ministrin Shala për mbështetjen që ia ka bërë Gjilanit, pasi ne jemi përfitues të mbi 1.3 milionë eurove në kornizë afatmesme të planifikimeve buxhetore, ku kryesisht merr kultura, rinia e sporti. Paralelisht me këto projekte ne jemi në përfundim të Shtëpisë së Rinisë në Gjilan dhe fillimit të renovimit të stadiumit të qytetit”, tha me këtë rast kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, është zotuar se pos ndërtimit të palestrës së sporteve, po e shikojnë mundësinë që ta renovojnë edhe Shtëpinë e Kulturës së Zhegrës.
“Jam këtu që të planifikojmë bashkë me kryetarin fillimin e projekteve të reja, të cilat për ne dhe Komunën e Gjilanit janë shumë të rëndësishme. Në Zhegër do të fillojmë ndërtimin e palestrës, e cila ka vlerë rreth 650 mijë euro. Poashtu, do të shikojmë mundësinë që brenda këtij viti të krijojmë një fond investiv për renovimin dhe mirëmbajtjen e Shtëpisë së Kulturës”, tha zëvendëskryeministri Shala.
Shala ka theksuar se do të vazhdojë të komunikoj me Komunën e Gjilanit për të parë nevojat tjera të fushës së kulturës, rinisë dhe sportit dhe me mundësitë e qeverisë, do të investojnë në tërësi në projektet që Komuna do t’i zgjedh me qytetarët./rajonipress/


