Meta: Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni duhet të shënojnë progres
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Pas takimit, kryeparlamentari Meta u shpreh se më i rëndësishëm se rezultati i zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor është stabiliteti i Maqedonisë.
Ai ka vlerësuar zhbllokimin e krizës institucionale përmes zgjedhjeve të fundit, të cilat fatmirësisht u zhvilluan në një klimë shumë pozitive dhe demokratike.
Meta ka shtuar se Maqedonia duhet të ecë përpara në rrugën e stabilitetit, të zgjidhjes së çështjes së emrit dhe njëkohësisht përparimit të proceseve integruese, si anëtarësimi në NATO edhe në BE.
Kryetari i Kuvendit ka deklaruar se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni duhet të shënojnë një progres shumë më të dukshëm e më të prekshëm, përmes një zbatimi sa më real e më konkret edhe të vetë Marrëveshjes së Ohrit.


