Terr, terr, veç pabesi, kurthe, hije! (Prozë poetike)
Tërë natën volli mendja ime tmerre akuze, pse na e bëjnë gjëmën, kur nuk jam mëkatar! Sepse dua syrin e pranverës që ushqen dimrin e mundimeve të përhershme! Dua dhe dramën e paparë të saj me pasthirrmat që më shembën, sepse një “Uh”, “Oh”… ngrit dhe rrënon, fortifikon dhe u vesh këmishët e trëndafilave erërave, ajrit të tërë dhe fjalëve që nuk i vranë dot.
Por, Dashuri, ti edhe je kjo!
Nuk ndalin drejt meje shpirtin e së dashurës, qoftë edhe nëse tërbohen gjarpërinjtë, nga i pari, tek i fundit.
Më gërryen dhembja, e nuk keni vrimë ku të fusni kokën, banorë të natës së dresimeve! Nuk keni shpëtim, gjëmë mallkimesh!
Dhe, e dini mirë, asnjë tiran, as shërbëtor i mjerimit të paparë të tyre, kurrë nuk triumfoi mbi virgjërinë e emrit dhe jetës së dashurisë. Si vitrazhe rrotull një kambanoreje, cicërimat e dashurisë janë vrasje për sytë dhe veshët e mykur e të kalbur.
Ky terr dhe veç kjo pabesi… nuk jua forcon dot verbërinë e krimbur, për të shembur zemrat e plagëve hyjnore të dashurisë.
Ramadan Mehmeti


