Gjyqtari që hodhi aktakuzën për 1.7 milionë euro, i pakënaqur me vërejtjen
Gjyqtari Naser Foniqi është ndarë i pakënaqur me një vërejtje me shkrim që ia ka dhënë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për shkak të parashkrimit në mënyrë të paligjshme të një aktakuze që peshon 1.7 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
E ka konsideruar këtë si të drejtë të tij si gjyqtar, të garantuar me imunitet dhe ligje të tjera, ani se vendimi që kishte nxjerrë për parashkrimin e një aktakuze ishte vendim i paligjshëm gjyqësor.
Mbi këto pretendime gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të KGJK-së të datës 11 marsit 2015, që i jep vërejtje me shkrim për këto shkelje.
Por, Kushtetuesja ia ka hedhur poshtë këtë kërkesë javën e kaluar, duke e cilësuar si të papranueshme për shkak të mosshterjes së të gjitha mjeteve të rregullta juridike. Mes këtyre mjeteve është edhe konflikti administrativ në Gjykatën Themelore, që nuk është shfrytëzuar nga gjyqtari Foniqi.
http://koha.net/?id=27&l=88622


