Qeveri teknike, dekriminalizim dhe zgjedhje të reja
Pozita dhe opozita të dakordohen për zhbllokimin e shtetit të kapur. Zgjedhjet e parakohshme brenda 6 muajve, të pashmangshme.
Me një Ligj të ri zgjedhor dhe Ligjin për dekriminalizimin e politikës, sovrani do ta jepte verdiktin e tij kundër politikanëve aktualë në Kosovë
Kriza politike e ka bllokuar shtetin, ndërsa analistët propozojnë Qeveri teknike dhe përgatitje të zgjedhjeve me një ligj të ri. Gjithashtu ata propozojnë edhe Ligjin e dekriminalizimit të institucioneve. Nëse nuk ka dialog pozitë-opozitë për tejkalimin e situatës, Qeveria mund të përballet me protesta masive.
Analisti politik, Fisnik Korenica, në një rast të tillë i sheh zgjedhjet e jashtëzakonshme si mundësia e vetme, nëse subjektet politike paraprakisht dakordohen për vetë shpërbërje të Kuvendit dhe ulje të tensioneve. “E para, sepse në kuptimin e mënyrës së shkuarjes në zgjedhje të reja, në situatën që jemi tani, për të shkuar në zgjedhje të reja duhet që të ketë një shpërbërje të Kuvendit nga vetë Kuvendi. Një gjë e tillë kërkon dy të tretat e votave, kështu që pa e pasur paraprakisht edhe akordimin e vetë koalicionit PDK-LDK, shkuarja në zgjedhje të reja në këtë fazë mbetet e pamundur. Unë mendoj që tani nuk është interes as i Thaçit dhe as i Mustafës që ta lejojnë shkuarjen në zgjedhje të reja në këtë fazë. E dyta, pavarësisht që kërkesa e opozitës është që duhen zgjedhje të reja, unë mendoj që para se të shkohet në zgjedhje të reja, edhe opozita, por edhe terreni i përgjithshëm politik duhet të jenë të përgatitur në mënyrë të tillë që, përmes kampanjave zgjedhore, të mos vazhdojnë të manipulohet vullneti në zgjedhje”, është shprehur ai./kosova sot/


