Pacolli: “Gjykim politik!” – Shpreh solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit
Behgjet Pacolli ka reaguar pas vendimit të sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si një “gjykim politik” dhe duke shprehur solidaritet me familjet e tyre.
Në një postim të publikuar sot, Pacolli e përshkruan ditën si “të rëndë për Kosovën”, duke theksuar se vendimi prek jo vetëm familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së, por edhe miqtë dhe mbështetësit e tyre.
“GJYKIM POLITIK! Zhgënjyese, e padrejtë e papranueshme, e dhimbshme e trishtueshme!”, shkruan Pacolli në reagimin e tij, duke shoqëruar postimin me emoji të zemërimit.
Ai shpreh solidaritetin e tij me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke nënvizuar se në këtë moment të vështirë duhet të qëndrojnë të fortë.
“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën, për familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për miqtët e për gjithë ne”, shkruan Pacolli.
Në reagimin e tij, Pacolli thotë se respekton procesin e drejtësisë, por njëkohësisht thekson të drejtën e secilit për të kërkuar drejtësi përmes procedurave të ankimimit.
“Respektojmë procesin e drejtësisë dhe njëkohësisht besojmë në të drejtën e secilit për të kërkuar drejtësi deri në fund përmes ankimimit”, shprehet ai.
Pacolli u drejtohet më pas familjeve të të akuzuarve, duke u thënë se dhimbja e tyre, sipas tij, ndahet nga shumë njerëz.
“Qëndroni të fortë. Dhimbja juaj ndahet me ne dhe nga miliona njerëz”, thuhet në fund të reagimit.
Ai e përmbyll postimin duke kërkuar që vëmendja të përqendrohet në fazën e ardhshme të procedurave gjyqësore, konkretisht në procesin e ankimimit, duke e cilësuar vendimin si një padrejtësi që duhet kundërshtuar.
“Përballë kësaj sfide, lufta për drejtësi duhet të përqendrohet tani në procesin e ankimimit dhe në kundërshtimin e vendosur të kësaj padrejtësie”, shkruan Pacolli./rajonipress/


