Dikoviq, si në bahçe të babës
Nga Milaim Shefkiu – Gëzimin më të madh që e kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në këto dy dekadat e fundit, ka qenë hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, e cila me vete barti shpresën e jetës dhe gëzimin e lirisë. Dhe pikërisht kjo ndërhyrje e NATO-s me trupat paqeruajtëse KFOR, e sollën pavarësinë e vendit tetë vjet më vonë, ndërsa edhe sot KFOR-i shihet si shpresa e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Por, ndërmjet të mirave, doli një e keqe që ngjalli dhimbje të tmerrshme, sikurse pezmatimi i varrës pas operimit.
Ishte komandanti i KFOR-it, gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta, ai që lejoi ardhjen në Prishtinë të njeriut më të urryer nga shqiptarët, gjeneralit Lubisha Dikoviq që 16 vjet më parë e dogji dhe e bëri shkrumb e hi, gjysmën e Kosovës.
Njeriu që barti mbi vete mëkatet më të mëdha të fundshekullit kthehet në vendin e krimit, sikur ai piromani që djeg pyjet, e kërkon oksigjen për shërimin e astmës.
Komandanti i Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Dikoviq, i akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, është fyerja më e madhe që u bëhet familjeve të 1700 personave të pagjetur, 20 mijë grave të dhunuara nga forcat serbe dhe të atyre familjeve që kanë përjetuar masakrat më të tmerrshme të fundshekullit në Evropë.
Imagjinojeni sikur në Aushvitc të ishte kthyer gjenerali nazist Herman Goring, ose edhe gjeneralët tjerë besnikë të Hitlerit, çfarë tragjedie do të kishte qenë për çifutët.
Nëse nuk e ka ditur gjenerali italian i KFOR-it se kjo vizitë e komandantit serb krijon urrejtje, ai është dashur të këshillohet nga paraardhësit e tij, që kjo ardhje e Dikoviqit dhemb në Kosovë.
Nuk e kemi thënë vetëm ne shqiptarët se gjenerali Dikoviq, ish-komandanti i Brigadës 37 të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave, është kriminel lufte. Këtë e ka thënë themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, e cila thotë se ka dëshmi se ai dhe brigada e tij që ka operuar në rajonin e Drenicës ka kryer krime në Kosovë.
Sipas dëshmisë së Kandiqit, gjenerali Dikoviq ka komanduar trupat serbe në sulmin mbi fshatrat Rezallë, Çikatovë, Zabel i Ulët dhe Gllanasellë ku kanë mbetur qindra civilë shqiptarë të vrarë, ndërsa shumë prej tyre u zhdukën, të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk u dihen gjurmët.
Prandaj rikthimi i tij në Kosovë, nuk perceptohet ndryshe, përveç si kthim i kriminelit në vendin e krimit. E, madje dhe më keq është fakti se nga Prishtina ai u kthye në Beograd si triumfues, pasi që me vete mori fermanin për të fluturuar lirshëm mbi qiellin ballkanik, siç e ka pasur 16 vjet më parë.
Kjo e fundit është çështje e politikave të NATO-s, për të cilën ndoshta është e kotë të diskutohet, por ardhja e Dikoviqt, natyrisht që duhet të jetë e fundit, derisa Beogradi nuk i dërgon para gjykatës të gjithë ata njerëz që kanë bërë krime ndaj popullsisë civile. Dikoviq, i cili pas akuzave nga humanistja Natash Kandiq, mori mbështetjen e presidentit serb Tomisllav Nikoliq, duhet të tregojë për të gjitha vrasjet në Drenicë nga Brigada e tij e Motorizuar, ndërsa sipas të gjitha gjasave duhet të jetë njeriu më i informuar për njerëzit e zhdukur, disa nga të cilët u bartën me kamionë nëpër Serbi, për t’i fshehur gjurmët e krimit.
Natyrisht që Dikoviq nuk ka qenë i vetëm që ka bërë krime në Kosovë, pasi bashkë me të ka vepruar edhe gjenerali Nebojsha Pavkoviq, Goran Radosavleviq –Guri etj., të cilët nga Sllobodan Millosheviqi ishin dekoruar me urdhrin “hero i popullit”. Ky rehabilitim që i bëhet këtij eprori dhe të tjerëve, që i kanë duart e përlyera me gjak, është shembulli më i keq se si bota demokratike mëton t’i rehabilitojë popujt dhe shtetet. Pajtimi në Ballkan që po e pretendon kryeministri serb, Aleksander Vuçiq, nuk bëhet duke i rehabilituar kriminelët, por duke i dënuar ata.


