FIDANISHTJA

KOSID-i kërkon nga Antikorrupsioni ta vërtetojë legjitimitetin e marrëveshjes për “Kosovën e Re”

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Të paqartë dhe jotransparent e ka vlerësuar projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), shkruan sot Koha Ditore.

Sipas këtij konsorciumi, investimi në këtë projekt, që pritet të kalojë shumën prej një miliardë eurosh, do të ndikojë në rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike.

Në një konferencë për medie, drejtuesi i KOSID-it, Visar Azemi, ka thënë se kjo rritje e çmimit do të lërë jashtë rrjetit të energjisë shumë familje me asistencë sociale, për shkak të pamundësisë për të paguar një çmim të lartë të energjisë elektrike.

FIDANISHTJA

Ai ka shprehur shqetësimin mbi vendimin e fundit të Komitetit Ndërministror për Projektin “Kosova e Re”, për shpalljen e kompanisë amerikane “Contour Global”, si ofertues i preferuar për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. “Këtij vendimi i paraprinë negociatat direkte të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequra nga ministri Stavileci me kompaninë ‘Contour Global’, të cilat janë mbajtur larg opinionit publik. Këto vendime jotransparente edhe një herë dëshmojnë mosseriozitetin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur problemet e sektorit të energjisë në vend, duke marrë vendime në dëm të interesit të Kosovës”, ka thënë Azemi, duke shtuar se këtë çështje do ta dërgojnë edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit për të parë se a ka legjitimitet marrëveshja e tillë.

“Edhe njëherë dua ta cek që këtë rast do ta çojmë edhe më tutje, do të dërgojmë lëndët edhe në Antikorrupsion për të parë nëse këto marrëveshje të tilla kanë pasur legjitimitet”, ka deklaruar Azemi.

http://koha.net/?id=27&l=85873