Livadhet e jetës
Dua botën time, e ajo bëhet si e huaj, derisa leh brenda meje edhe qeni më endacak.
Livadhet e jetës kanë nisur e po thahen dhe më nuk e
kalëroj atë pelën e shfrenuar, e cila nganjëherë më
mundësonte të endesha nëpër botë e t’i njihja disa
nga të fshehtat e saj.
Tashti ma pi gjakun demoni, e trupin ma
hedh, si kokërr kripe, të tretem në një përroskë.
Kur i duket pak, më kthen ku isha, e merr ashtin
tim në dhëmbët e tij të gjakosur e të mprehur nga
motet e vrugnuara të kohës. Kur është një me
vdekjen, m’i numëron hapat e vdekshëm.
Ma pi gjakun e mezi mbahem në këmbë. Po
nisem ngadalë, si thnegla kur punon, ngarkuar
me barrën e padurueshme të mëkatit mbi shpinë,
duke thirrur kot:
Ky nuk është mëkat!
Ngjiten ashtu mbi supet e mia shekujt e etjeve
e dhembje të tëra vargohen njëra pas tjetrës. Tashti
ka filluar zgjimi im si dua, kurse demoni kërkon
gjumin tim të përjetshëm.
Kapem me gojë e me thonj për zgjimin, si
fëmijë i porsalindur, përderisa vdekja largohet e
qeshet në shpat.
Ramadan Mehmeti


