Eko Higjiena

Hajrizi në Universitetin e Oksfordit: Prezanton modelin e UBT-së për të ardhmen e arsimit

/ 5 minuta lexim
KD-viti

Hajrizi në Universitetin e Oksfordit prezanton modelin e UBT-së për të ardhmen e arsimit të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, UBT Smart City dhe Aleancën Globale me Coursera.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar të marrë pjesë në Samitin Ndërkombëtar për të Ardhmen e Arsimit, të organizuar nga Coursera në ambientet e Saïd Business School, University of Oxford, ku u mblodhën liderë të arsimit, ekspertë të teknologjisë, drejtues universitetesh dhe partnerë globalë për të diskutuar transformimin e arsimit në epokën e Inteligjencës Artificiale (Coursera Summit 2026: The Future of Higher Education).

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë forum prestigjioz përfaqëson një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për institucionin, i cili gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga modelet më inovative të arsimit të lartë në botë.

UBT ishte ndër institucionet e ftuara për të ndarë përvojat dhe praktikat e saj si një shembull konkret i integrimit të teknologjisë, inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale në proceset akademike dhe në përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

Tema qendrore e forumit ishte roli i Inteligjencës Artificiale në të ardhmen e arsimit dhe mënyra se si universitetet duhet të përshtaten me transformimet e shpejta teknologjike. Në këtë kontekst, UBT u prezantua si një nga partnerët strategjikë të Coursera-s dhe si një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërmjet arsimit, industrisë dhe teknologjisë.

Gjatë punëtorive të organizuara në kuadër të forumit, rektori Hajrizi prezantoi ekosistemin inovativ të UBT-së, duke shpalosur mënyrën se si Inteligjenca Artificiale është integruar në mësimdhënie, kërkim shkencor, inovacion, zhvillim profesional dhe ndërveprim me industrinë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me qasjen unike të UBT-së, e cila kombinon arsimin akademik me teknologjitë më të avancuara dhe me nevojat reale të tregut të punës.

Një nga temat që tërhoqi interes të veçantë ishte partneriteti strategjik ndërmjet UBT-së dhe Coursera-s, përmes të cilit studentëve të UBT-së u ofrohet qasje në mbi 14,000 kurse, programe trajnimi, certifikime profesionale dhe micro-credentials nga universitetet dhe kompanitë më prestigjioze në botë.

Ky bashkëpunim u mundëson studentëve që, përveç diplomës universitare, të fitojnë edhe certifikime të njohura ndërkombëtarisht, duke zhvilluar kompetenca të reja profesionale dhe duke rritur mundësitë e tyre për punësim në tregun lokal dhe global.

Në prezantimin e tij, rektori Hajrizi theksoi se universitetet e së ardhmes duhet të shkojnë përtej modelit tradicional të edukimit dhe të krijojnë mundësi të vazhdueshme për zhvillimin e aftësive, rikualifikimin dhe certifikimin profesional të studentëve.

Uji Dea

Ai nënvizoi se UBT tashmë ka ndërtuar një model që lidh arsimin, teknologjinë, inovacionin dhe industrinë në një ekosistem të vetëm UBT Smart City, të mbështetur fuqishëm edhe nga Inteligjenca Artificiale.

Përveç prezantimeve dhe diskutimeve tematike, forumi shërbeu edhe si një platformë e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të UBT-së.

Gjatë takimeve të zhvilluara me drejtues universitetesh dhe institucione akademike nga vende të ndryshme të botës, rektori Hajrizi krijoi ura të reja bashkëpunimi, të cilat pritet të konkretizohen në projekte të përbashkëta kërkimore, programe akademike, shkëmbime studentore dhe iniciativa inovative në fushën e arsimit dhe teknologjisë.

Ftesa e UBT-së në një forum të këtij niveli nuk është e rastësishme. Ajo vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucionit në transformimin digjital të arsimit, investimeve në teknologji, zhvillimit të modeleve inovative të mësimdhënies dhe krijimit të partneriteteve strategjike me organizata dhe institucione lidere në botë.

Këto arritje kanë bërë që UBT të konsiderohet një nga institucionet më dinamike dhe më të orientuara drejt së ardhmes në Evropën Juglindore, duke u renditur ndër universitetet më inovative në botë.

Kompetencat, shkalla e lartë e punësimit dhe karriera e suksesshme e studentëve dhe alumnëve të UBT-së tashmë njihen në mbarë botën. Për këtë arsye, UBT është vlerësuar dhe renditur lart për reputacionin e saj akademik dhe profesional.

Për Kosovën, prezantimi i UBT-së në Universitetin e Oksfordit përfaqëson një dëshmi të qartë se një institucion nga Kosova tashmë është pjesë aktive e diskutimeve dhe zhvillimeve globale për të ardhmen e arsimit dhe teknologjisë.

Ai konfirmon se modelet inovative të zhvilluara në UBT, në Kosovë, po tërheqin vëmendjen e universiteteve, organizatave dhe platformave më prestigjioze ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në këtë forum riafirmon pozicionin e UBT-së si lider në transformimin e arsimit përmes teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, duke vazhduar të krijojë mundësi të reja për studentët, akademikët dhe shoqërinë në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta.