Kuvendi i Gjilanit nderon me titullin Qytetar Nderi (Post Mortum) veprimtarin e çështjes kombëtare, Muharrem Aliu
Gjilan – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e sotme solemne të udhëhequr nga Krenare Latifi-Kqiku, e ka nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare Muharrem Aliu me çmimin Qytetar Nderi (Post Mortum), i cili është inicuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, me rekomandim të Komisionit për dhënien e titujve të nderit dhe me mbështetjen e partive politike në Kuvend.
Në këtë seancë, në të cilën kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Arianit Sadiku, ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, deputetja Arijeta Rexhepi, kryetari i KBI-së, Naim Aliu, sikurse edhe përfaqësues të policisë, FSK-së, familjarë të dëshmorëve e familjarë të veprimtarit, Muharrem Aliut i është ndarë çmimi me motivacionin “për kontributin e jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, qëndresën e palëkundur patriotike dhe sakrificën për lirinë e shqiptarëve, si dhe për angazhimin e tij në zhvillimin e Pogragjës dhe të trevës së Gjilanit”.
Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, ka thënë se Muharrem Aliu ishte atdhetari që e vuri çështjen kombëtare mbi interesin personal në periudha të rënda për popullin shqiptar.
“Ai zgjodhi rrugën e qëndresës, të guximit dhe sakrificës. Angazhimi i tij në radhët e luftërave të udhëhequra nga Mulla Idriz Gjilani, si dhe më vonë në verimtarinë në nacional-demokraten shqiptare, dëshmoi përkushtimin e tij ndaj idealit kombëtar”, ka thënë Latifi-Kqiku.
Në emër të kryetarit Hyseni, ka folur nënkryetari i Komunës, Arianit Sadiku, i cili theksoi se kanë nderin që sot t’i ndajnë çmimin Qytetar Nderi (Post Mortum) një kolosi të vërtetë të historisë sonë.
“Kur flasim për Muharrem Aliun, flasim për një epokë të tërë të historisë sonë. Ai ishte njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi idealit për liri dhe bashkimit kombëtar. Që në moshë të re, ai zgjodhi të rreshtohej drejtë, krah Mulla Idriz Gjilanit në frontin për Bujanocin dhe Preshevën, duke u bërë mburojë e gjallë për t’i ndalur ata të cilët synonin shkatërrimin e Kosovës”, tha Sadiku.
Në emër të Grupit të Këshilltarëve të LDK-së ka folur asambleisti Fitim Guda, i cili e vlerësoi lartë figurën e veprimtarit të çështjes kombëtare, ndërkaq në emër të familjes Aliu, ka adresuar fjalën e tij Agron Aliu, duke ka shprehur falënderimin për këtë nder që ia kanë bërë Muharrem Aliut, për të shtuar se ky çmim është përgjegjësi dhe i obligon ata si familje dhe brezat që vijnë pas. /rajonipress/

