Në shkollën “Nazim Hikmet” në Dobërçan mbahet ligjëratë ndërgjegjësuese për parandalimin e kancerit të gjirit
Gjilan – Në kuadër të aktiviteteve të “Tetorit Rozë”, në SHFMU “Nazim Hikmet” në Dobërçan është realizuar një aktivitet ndërgjegjësues për rëndësinë e parandalimit, zbulimit të hershëm dhe trajtimit të kancerit të gjirit.
Aktiviteti është bërë i ditur përmes një postimi nga Rexhep Arifi, ku theksohet rëndësia e informimit të nxënësve për kujdesin ndaj shëndetit dhe promovimin e vetëdijesimit shoqëror.
Në kuadër të aktiviteteve për “Tetorin Rozë”, sot në shkollën “Nazim Hikmet” në Dobërçan, u realizua një aktivitet ndërgjegjësues dhe sensibilizues për rëndësinë e parandalimit, zbulimit të hershëm dhe trajtimit të kancerit të gjirit.
Aktiviteti përfshiu një ligjëratë të vlefshme nga Dr. Elvane Klaiqi, me bashkëpunëtoren e saj, znj. Mimoza Kurteshi Hajdari nga QKMF-Gjilan, si dhe një bashkëbisedim interaktiv me nxënësit e klasave VI–IX, të cilët patën mundësinë të informohen dhe të diskutojnë për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit dhe të kontrolleve të rregullta mjekësore.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të Aktivit Profesional “Gjuhët dhe komunikimi”, duke dëshmuar se shkolla, përveç rolit të saj edukativ dhe arsimor, ka një përgjegjësi të rëndësishme edhe në promovimin e shëndetit dhe të vetëdijesimit shoqëror.
Një falënderim i veçantë i drejtohet Dr. Elvane Klaiqit dhe bashkëpunëtores së saj për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre me shkollën tonë, si dhe mësueses së gjuhës shqipe, Blinera Hajdari, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar, së bashku me nxënëset e klasave të IX-ta, për përgatitjen e posterëve dhe materialeve të tjera informuese që i dhanë aktivitetit një vlerë të veçantë edukative dhe sensibilizuese.
Një aktivitet i tillë është realizuar edhe javën e kaluar në paralelen e ndarë fizike në Bukovik, i përgatitur nga mësuesja e gjuhës shqipe, Blerta Beqiri Aziri.
Mesazhi ynë është i qartë: Informimi shpëton jetë! Zbulimi i hershëm bën ndryshimin!
Le të jemi të gjithë pjesë e ndërgjegjësimit, duke përhapur informacione të sakta, duke inkurajuar kontrollet e rregullta dhe duke treguar mbështetje e solidaritet për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.
Së bashku për më shumë vetëdije, kujdes dhe shpresë!/rajonipress/


