Fidanishtja

Ligji për Specialen, Lushaku Sadriu: LDK-ja u linçua padrejtësisht, pse problemet nuk u adresuan para se ligji të kthehej në pikën zero?

/ 4 minuta lexim

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka kritikuar mënyrën e procedimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se kjo nismë nuk e ndihmon procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe mund t’i krijojë Kosovës pasoja në raportet ndërkombëtare.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, ajo ka kërkuar që angazhimi i institucioneve të përqendrohet te mbrojtja juridike dhe procesi i apelit, duke respektuar detyrimet ndërkombëtare të shtetit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

“Ky ligj dhe kjo iniciativë nuk është duke ua lehtësuar jetën atyre atje, as procesin atje. Ndoshta është duke e rënduar dhe kjo është fatkeqësi”, ka deklaruar Lushaku Sadriu, shkruan Telegrafi

AR Katana

Sipas saj, mbështetja për ish-krerët e UÇK-së duhet të jetë e plotë, por të realizohet përmes mekanizmave ligjorë dhe institucionalë.

“Përmes rrugëve të drejtësisë ne duhet të kërkojmë drejtësi për krerët e UÇK-së, por duke i mbështetur edhe si shtet”, ka theksuar ajo.

LDK kërkon sqarime për kthimin e ligjit

Lushaku Sadriu ka ngritur pikëpyetje për kthimin e ligjit në Kuvend me kërkesën e vetë iniciuesit, duke thënë se problemet eventuale është dashur të adresoheshin gjatë hartimit dhe shqyrtimit të tij.

“Nëse ligji paska pasur probleme, pse nuk janë adresuar këto me kohë ose pse nuk është kërkuar një mënyrë tjetër amendamentimi, por u kthye krejt në pikën zero?”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se nuk i di ndryshimet për të cilat PDK-ja e ka kërkuar kthimin e ligjit dhe se kjo çështje duhet të sqarohet publikisht.

Duke shpjeguar qëndrimin e LDK-së, ajo ka theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara është shoqëruar me detyrime ndërkombëtare për Kosovën. Sipas saj, ndërhyrjet në këtë kuadër kërkojnë kujdes dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Shteti i Kosovës është projekt serioz, është projekt që është bërë edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Lushaku Sadriu ka kundërshtuar gjithashtu përfshirjen e politikës në çështje që lidhen me vendimmarrjen e gjykatës.

“Politika nuk ndërhyn në vendimet gjyqësore”, ka thënë ajo, transmeton Telegrafi.

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova

“LDK-ja u linçua publikisht”

Duke folur për reagimet ndaj qëndrimit të LDK-së, Lushaku Sadriu ka thënë se deputetët e kësaj partie janë etiketuar padrejtësisht për shkak të kundërshtimit të nismës.

“LDK-ja u linçua. U linçua publikisht duke u thënë që janë deputetë tradhtarë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka theksuar se qëndrimi ndaj ligjit nuk duhet të interpretohet si qëndrim kundër UÇK-së, duke e cilësuar luftën çlirimtare si pjesë të përbashkët të historisë së qytetarëve të Kosovës.

“Lufta çlirimtare e UÇK-së është lufta jonë, është lufta e gjithë qytetarëve të Kosovës, është lufta e LDK-së”, është shprehur ajo.

Sipas saj, respekti për luftën çlirimtare duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ruajtjen e shtetit dhe të parimeve demokratike.

Ajo ka kritikuar edhe subjektet që, sipas saj, shprehën rezerva për ligjin, por megjithatë e mbështetën me votë.

“Kemi përgjegjësi tepër të madhe kur themi diçka, të reflektojmë edhe në votë, sepse nuk ka kuptim kur themi diçka tjetër dhe votojmë ndryshe”, ka deklaruar Lushaku Sadriu.

Mbështetje për mbrojtjen dhe sensibilizimin ndërkombëtar

Lushaku Sadriu ka thënë se LDK-ja e mbështet angazhimin institucional në ndihmë të ish-krerëve të UÇK-së dhe se është pjesë e grupit punues për hartimin e një strategjie mbështetëse.

Ajo ka kërkuar që energjia të përqendrohet te apeli, mbrojtja dhe paraqitja e fakteve, ndërsa paralelisht të punohet për sensibilizimin ndërkombëtar për luftën çlirimtare.

“Unë jam anëtare e atij grupi dhe do të jap maksimumin”, ka thënë ajo, duke theksuar nevojën që pasojat dhe jehona e vendimeve gjyqësore të mos e dëmtojnë shtetin e Kosovës. /Telegrafi/.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.