Qendra e Gjilanit nën trysninë e punimeve: Qytetarët ankohen për bllokim të lëvizjes dhe mungesë transparence
Gjilan – Punimet në projektet infrastrukturore në qendër të Gjilanit po shoqërohen me pakënaqësi të qytetarëve, të cilët ankohen për vështirësi në qarkullim, pengesa për këmbësorët dhe pasoja në veprimtarinë e bizneseve. Ndonëse investimet në infrastrukturë konsiderohen të domosdoshme për zhvillimin urban, mënyra dhe dinamika e realizimit të tyre po ngrenë shqetësime për organizimin e punimeve dhe menaxhimin e hapësirës publike.
Qendra e Gjilanit, një nga hapësirat më të frekuentuara të jetës publike, tregtare dhe shoqërore të qytetit, po përballet me vështirësi të theksuara si pasojë e punimeve infrastrukturore dhe pengesave në rrugët kryesore. Ajo që duhej të ishte një proces zhvillimi dhe përmirësimi urban, sipas qytetarëve të intervistuar, po shndërrohet në një burim të vazhdueshëm pakënaqësie, duke ndikuar në lëvizjen e përditshme, qasjen në biznese dhe funksionimin normal të jetës në qendër.
Askush nuk e konteston nevojën për investime infrastrukturore, por shqetësimi kryesor i qytetarëve lidhet me mënyrën se si po zhvillohen punimet, mungesën e hapësirave të përshtatshme për këmbësorët dhe vështirësitë që krijohen për ata që duhet ta përshkojnë qendrën për nevoja të përditshme. Sipas tyre, kufizimet e njëpasnjëshme në lëvizje kanë cenuar funksionalitetin e kësaj pjese të qytetit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë qasjen në shërbime dhe zhvillimin e aktiviteteve afariste.
Blertoni, një qytetar i Gjilanit, vlerëson se vonesat e akumuluara ndër vite në realizimin e projekteve infrastrukturore po reflektohen tani në një intensitet punimesh që, sipas tij, po e rëndon jetën e përditshme të qytetarëve.
“Askush nuk është kundër investimeve në infrastrukturë, por mënyra se si po punohet në qendër të qytetit është e papranueshme për jetën tonë të përditshme. Mendoj se qeverisja aktuale ka stagnuar për vite të tëra dhe tani po mundohet ta kompensojë kohën e humbur, duke i nisur punimet në një mënyrë që po shkakton pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Kjo po krijon kundërproduktivitet në jetën tonë të përditshme, sepse qendra e qytetit është izoluar pothuajse në çdo veprimtari të saj. Thjesht, jeta na është bërë e pamundur për të jetuar e vepruar”, thotë ai.
Shqetësimet nuk kufizohen vetëm te qarkullimi. Një tjetër çështje që ngrihet nga qytetarët është transparenca në planifikimin dhe realizimin e projekteve, si dhe ndikimi i tyre në bizneset që operojnë në qendër të qytetit.
Selveri, një tjetër qytetar i Gjilanit, konsideron se komuna nuk ka treguar përgjegjësinë e duhur ndaj banorëve dhe bizneseve, veçanërisht në informimin për kohëzgjatjen, organizimin dhe pasojat e punimeve.
“Që nga fillimi nuk ka pasur transparencë në projektet e nisura. Kanë filluar përnjëherë projektet e mëdha, ndërsa është dëmtuar funksionimi i shumë veprimtarive afariste në qendër të qytetit. Mos harroni se punimet në qendër të qytetit dhe në parkun e saj, i cili tashmë nuk ekziston në formën e mëparshme, pritet të zgjasin rreth katër vjet dhe kjo është e padurueshme”, shprehet ai.
Shqetësimi për kohëzgjatjen e punimeve merr rëndësi të veçantë për bizneset, të cilat varen nga qasja e lirë e klientëve dhe lëvizja e vazhdueshme e qytetarëve. Kufizimet në qarkullim, pengesat për këmbësorët dhe vështirësitë në arritjen e lokaleve mund të ndikojnë në veprimtarinë e tyre ekonomike, ndërsa mungesa e informacionit të qartë për afatet e përfundimit e shton pasigurinë.
Në këtë kontekst, kërkesa e qytetarëve nuk lidhet domosdoshmërisht me kundërshtimin e projekteve, por me nevojën që ato të realizohen përmes një planifikimi më të mirë, informimit të rregullt të publikut dhe masave që garantojnë qarkullim sa më të sigurt e funksional gjatë punimeve.
Përtej premtimeve për transformimin urban, sfida e qeverisjes lokale mbetet gjetja e një ekuilibri ndërmjet realizimit të investimeve dhe ruajtjes së funksionalitetit të qytetit. Qytetarët presin që zhvillimi infrastrukturor të mos shoqërohet me izolimin e hapësirave publike dhe vështirësimin e jetës së përditshme, por të realizohet në mënyrë të organizuar, transparente dhe me përgjegjësi ndaj komunitetit.
Për Gjilanin, çështja nuk është vetëm se kur do të përfundojnë punimet, por edhe se si do të funksionojë qyteti deri atëherë. Sepse një projekt infrastrukturor nuk vlerësohet vetëm nga rezultati përfundimtar, por edhe nga mënyra se si realizohet dhe nga kujdesi që institucionet tregojnë ndaj qytetarëve gjatë gjithë procesit./rajonipress/

