Prokuroria në Gjilan ndalon një person për kanosje ndaj policëve, ngre pesë aktakuza
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndërmarrë veprime në disa raste penale, duke ndaluar një person të dyshuar për kanosje ndaj zyrtarëve policorë dhe duke ngritur pesë aktakuza ndaj pesë personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosje ndaj zyrtarëve policorë”, e paraparë në nenin 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur pesë aktakuza ndaj pesë personave, për vepra penale që përfshijnë kanosjen, dhunën në familje, ngacmimin dhe posedimin e paautorizuar të narkotikëve.
Sipas të dhënave të bëra publike, aktakuzat janë ngritur si vijon:
Dy aktakuza ndaj dy personave për veprën penale të kanosjes.
Një aktakuzë ndaj një personi për veprën penale të dhunës në familje.
Një aktakuzë ndaj një personi për veprën penale të ngacmimit.
Një aktakuzë ndaj një personi për veprën penale të posedimit të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Këto veprime janë pjesë e punës së Prokurorisë Themelore në Gjilan në trajtimin e rasteve penale dhe ndjekjen e personave të dyshuar për vepra të kundërligjshme./rajonipress/

