Pacolli: Mbi 50 vjet përvojë në biznes më kanë mësuar se besimi është kapital dhe ndershmëria themel
Prishtinë – Biznesmeni dhe themeluesi i Mabetex Group, Behgjet Pacolli, ka ndarë një reflektim mbi punën, suksesin dhe vlerat që, sipas tij, kanë qenë themeli i rrugëtimit të kompanisë së tij.
Në një postim të publikuar gjatë një dite pune në një prej kantiereve të kompanisë, Pacolli është shfaqur së bashku me vëllezërit e tij, ndërsa ka vënë në pah rolin e njerëzve në ndërtimin dhe zhvillimin e biznesit.
Ai thekson se në kantieret e Mabetex Group sot janë të angazhuar mijëra punëtorë, inxhinierë, arkitektë dhe drejtues shqiptarë, duke e lidhur suksesin e kompanisë jo vetëm me profesionalizmin, por mbi të gjitha me besimin dhe integritetin njerëzor.
“Suksesi i Mabetex Group është ndërtuar mbi punën profesionale, por mbi të gjitha mbi njerëz të sinqertë, të besueshëm dhe dinjitozë”, ka shkruar Pacolli.
Sipas tij, përgjegjësia, ndershmëria dhe besnikëria janë vlera që tejkalojnë çdo interes të përkohshëm dhe përbëjnë bazën mbi të cilën ndërtohet një biznes i qëndrueshëm.
Në reflektimin e tij, Pacolli ka bërë një dallim të qartë mes njerëzve që ndërtojnë marrëdhëniet dhe suksesin mbi besimin dhe atyre që, sipas tij, tentojnë të përfitojnë duke keqpërdorur besimin e dhënë.
“Në biznes, ashtu si edhe në jetë, koha i ndan qartë njerëzit në dy kategori: ata që ndërtojnë mbi BESIMIN, NDERSHMËRINË dhe FJALËN E DHËNË, dhe ata që përpiqen të pasurohen duke keqpërdorur pikërisht besimin që u është dhënë”, ka deklaruar ai.
Pacolli i është referuar edhe një rasti të cilin nuk e ka specifikuar me emër, duke e përshkruar si një shembull të keqpërdorimit të besimit dhe të përpjekjes për të përfituar nga puna dhe sakrifica e të tjerëve.
“Rasti i njohur, po e dini për kënd po mendoj, do të mbetet një shembull i shëmtuar i shpërdorimit të besimit dhe i përpjekjes për të përfituar nga puna, djersa dhe sakrifica e të tjerëve”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka thënë se beson që një ditë edhe ky rast do të dokumentohet dhe do të shërbejë si mësim për pasojat që mund të sjellin lakmia dhe mungesa e moralit.
Duke u mbështetur në përvojën e tij mbi pesëdekadëshe në botën e biznesit, Pacolli ka theksuar rëndësinë e reputacionit, duke vlerësuar se ai ndërtohet për vite e dekada, por mund të dëmtohet shumë shpejt.
“Përvoja ime mbi 50-vjeçare në biznes më ka mësuar se reputacioni ndërtohet me dekada, por mund të shkatërrohet brenda një dite”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Pacolli ka vënë në qendër tri parime që, sipas tij, përbëjnë bazën e suksesit afatgjatë: besimin, ndershmërinë dhe fjalën e dhënë.
“Besimi është kapital. Ndershmëria është themel. Pa to, çdo sukses është vetëm i përkohshëm”, është shprehur ai.
Pacolli e ka përmbyllur mesazhin duke shprehur krenarinë për njerëzit që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë ndër vite dhe që përmes punës së ndershme vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Mabetex-it./rajonipress/


