Daka: Nuk jam e çuditur, Kosova prej dy vitesh në kaos politik, ligjor e kushtetues
Ish-gjyqtarja dhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
E ftuar në emisionin “Adresa”, Daka e ka cilësuar situatën aktuale si vazhdimësi të një logjike bllokuese, duke thënë se vendi tashmë prej dy vitesh përballet me pasiguri dhe kaos politik e institucional.
“Kjo është vazhdim i kësaj logjike bllokuese. Ne tashmë dy vjet jemi në zgjedhje dhe jemi në kaos politik, ligjor e kushtetues, pa institucione”, është shprehur Daka.
Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit nuk e kanë befasuar, pasi, sipas saj, një situatë e tillë ishte e pritshme, ndonëse nuk mund ta parashikonte mënyrën se si do të zhvillohej.
“Nuk jam e çuditur, sepse ka qenë e pritshme, por nuk e dija se në çfarë mënyre do të ndodhte kjo. Por, nuk është për çudi”, ka deklaruar Daka.


