Rahimaj nënshkruan marrëveshje në vlerë 500 mijë euro për financimin e programeve të banimit social
Kamenicë – Kryetari i Komunës Kadri Rahimaj së bashku me Nënkryetaren Arta Bajralija dhe zyrtaren nga Qendra për Punë Sociale Vlera Bugaqku, kanë pritur në takim Ministren në detyrë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Fitore Pacolli, së bashku me stafin e saj.
Në këtë takim është nënshkruar Marrëveshja për Grant për Financimin e Programeve të Banimit ndërmjet MMPHI-së dhe Komunës së Kamenicës me qëllim të mbështetjes së programeve të banimit social në komunë.
Kadri Rahimaj ka falënderuar Ministren në detyrë Fitore Pacolli dhe MMPHI-në për mbështetjen e dhënë për Komunën e Kamenicës, duke theksuar rëndësinë e këtij financimi për familjet që kanë nevojë për përmirësimin e kushteve të banimit.
“Ky grant prej 500 mijë eurosh është një mbështetje shumë e rëndësishme për familjet në nevojë dhe do të na mundësojë që të ndërhyjmë konkretisht në përmirësimin e kushteve të tyre të banimit. Si komunë do të angazhohemi që këto mjete të zbatohen me përgjegjësi dhe të shkojnë tek familjet që kanë më së shumti nevojë për to”, ka thënë Rahimaj.
Sipas marrëveshjes financimi për Komunën e Kamenicës parashihet për tri programe të banimit, me një shumë maksimale të parashikuar prej 500 mijë eurosh.
Këto përfshijnë programin për renovimin e njësive ekzistuese të banimit social me vlerë deri në 160 mijë euro, programin për renovimin e shtëpive private për familjet e cenueshme me vlerë deri në 175 mijë euro, si dhe programin për rindërtimin e shtëpive për familjet e cenueshme me vlerë deri në 165 mijë euro.
Me këtë marrëveshje, Komuna e Kamenicës synon të avancojë mbështetjen për familjet në nevojë dhe të krijojë kushte më të përshtatshme dhe të sigurta të banimit për qytetarët që përfshihen në programet sociale të banimit./rajonipress/


