Musliu-Shoshi: Kosova sot ka rendin kushtetues seriozisht të rrezikuar
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, pas kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një pikë ku, sipas saj, rendi kushtetues është seriozisht i rrezikuar.
Ajo ka thënë se Kosova gjithmonë ka paguar çmimin e saj dhe se sakrifica për shtetin nuk ka përfunduar.
“E di që popullit që ka kaluar midis sakrificës, mirëpo Kosova gjithmonë ka paguar çmimin e saj deri sot. Dje ne ishim në fushën e betejës, e sot në sasat e Gjykatës së Hagës. Dhe sakrifica për këtë shtet nuk ka përfunduar.
Pikërisht për këtë, ne kemi detyrimin që Kosovën, kushtetutën e demokracinë ta mbrojmë me çdo mjet demokratik.
Demokracia e dimë, na ka mësuar historia që nuk rrënohet brenda një dite. Mirëpo ajo zbehet kur pushteti fillon të besojë se është mbi ligjin. Fatkeqësisht, për ne, Kosova sot ndodhet pikërisht në këtë pikë.
Dhe kjo nuk është një çështje nëse je me apo kundër Albin Kurtit. Nuk është as për përplasjen në mes të pozitës dhe të opozitës. Mirëpo secili nga ne sot kemi vetëm një pyetje: A do të jetë Kosova një shtet ku sundon kushtetuta, apo shtet ku sundon pushteti i një lideri?
Gjykata Kushtetuese ka folur, kushtetuta ka folur, por deputeti Albin Kurti ka zgjedhur të mos e dëgjojë asnjërën. E kur dikush vendos veten mbi kushtetutën, ai më nuk punon për shtetin, por punon për veten e tij.
E sot ne nuk kemi vetëm një vendim të shkelur. Sot ne kemi rendin kushtetues seriozisht të rrezikuar.
Ndërkohë që qytetarët tanë sot po përballen me çmime të larta, me largim të të rinjve dhe me pasiguri për të ardhmen, deputeti Albin Kurti merret vetëm me një gjë: si ta mbajë pushtetin dhe si t’i mbajë privilegjet që pushteti ia ofron.
Dhe ky nuk është lidership, kjo nuk është udhëheqje, por është frikë nga humbja e pushtetit. E ne si PDK nuk do ta pranojmë kurrë këtë logjikë.
Sepse pushteti është i përkohshëm, Republika e Kosovës është e përhershme. Qeveritë edhe pushtetet vijnë e shkojnë, mirëpo kushtetuta mbetet.
Prandaj sot nuk po mbrojmë vetëm një nen të kushtetutës, po mbrojmë republikën, po mbrojmë demokracinë dhe të drejtën e çdo qytetari që të jetojë në një shtet ku ligji është mbi të gjithë e për të gjithë”, tha ajo./EO/


