Behgjet Pacolli: Gjykata e Tiranës hoqi masat kufizuese ndaj VIA-s, i hapet rruga përfundimit të Aeroportit të Vlorës
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka marrë një vendim të ri, përmes të cilit janë hequr masat kufizuese të vendosura më herët ndaj administrimit të shoqërisë VIA, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm juridik për vazhdimin e punimeve në projektin e Aeroportit të Vlorës.
Sipas Pacollit, gjykata ka vlerësuar se masa e sigurimit e vendosur më 5 qershor 2026 ishte marrë në kundërshtim me ligjin dhe ka vendosur zëvendësimin e saj, duke hequr çdo kufizim lidhur me administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar, MABCO.
Ai ka theksuar se gjyqtarja Miranda Nakaj është kallëzuar në SPAK, duke pretenduar se vendimet e saj kanë qenë në kundërshtim me vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë. Sipas Pacollit, pikërisht përmes kësaj mase u pengua mbajtja e Asamblesë së shoqërisë VIA, e planifikuar për 6 qershor 2026 për ndryshimin e administratorit, gjë që, sipas tij, ndikoi në vazhdimin e bllokimit të projektit dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme financiare.
Pacolli pretendon se pasojat e këtyre vendimeve janë ndjerë që nga tetori i vitit 2025, duke kulmuar me bllokimin e hyrjeve në kantierin e Aeroportit të Vlorës për disa muaj. Sipas tij, kjo situatë u ka pamundësuar punonjësve dhe nënkontraktorëve të kompanisë MABCO të vijojnë punën dhe të përfundojnë projektin.
Në reagimin e tij, Pacolli ka falënderuar Gjykatën e Tiranës për vendimin e fundit, duke theksuar se arsyetimi i saj është mbështetur edhe në vendimin e mëhershëm të Gjykatës së Lartë, e cila, sipas tij, ia kishte rikthyer ortakut mazhoritar të drejtën për administrimin e shoqërisë dhe ushtrimin e të drejtave që burojnë nga pjesëmarrja e tij.
Ai e ka cilësuar këtë vendim si një tjetër dëshmi se masat e sigurimit të vendosura më parë ndaj MABCO kanë qenë të paligjshme, duke shtuar se, sipas tij, ato kanë synuar të pengojnë hapjen e Aeroportit të Vlorës.
Pacolli ka deklaruar se, pas këtij vendimi, nuk ekziston më asnjë masë gjyqësore që kufizon veprimtarinë e shoqërisë së tij dhe ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar sa më shpejt punimet, me synimin që aeroporti të përfundojë dhe të vihet në funksion.
Në fund, ai ka falënderuar ekipin ligjor Halimi & Ahmetaj për mbështetjen juridike dhe u ka bërë thirrje Ministrisë përgjegjëse, Avokaturës së Shtetit dhe Policisë së Shtetit që të zbatojnë vendimet gjyqësore, duke garantuar qasjen e plotë të kompanisë MABCO, punonjësve, nënkontraktorëve dhe mjeteve të punës në kantier, në mënyrë që projekti i Aeroportit të Vlorës të përfundojë sa më parë në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit./rajonipress/


