Mbështetja për Behgjet Pacollin kalon kufijtë: Lutje nga Mauritania për triumfin e drejtësisë në çështjen e Aeroportit të Vlorës
Çështja e Aeroportit të Vlorës dhe beteja ligjore e biznesmenit dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, po vazhdon të zgjojë solidaritet dhe mbështetje jo vetëm nga shqiptarët në mbarë botën, por edhe nga qytetarë e miq ndërkombëtarë që besojnë në triumfin e drejtësisë.
Përmes një postimi emocional, Pacolli bëri të ditur se ka marrë një mesazh prekës nga një mik i tij në Mauritani, i cili i ka shprehur mbështetje të pakushtëzuar dhe i ka premtuar se do të lexojë tërë Kuranin e Shenjtë, duke iu lutur Allahut që drejtësia të mbizotërojë në procesin e tij me Qeverinë e Shqipërisë lidhur me Aeroportin e Vlorës.
“Sot, të premten, do ta lexoj të gjithë Kuranin e Shenjtë dhe do t’i lutem Allahut që të të japë drejtësi në çështjen tënde me qeverinë shqiptare lidhur me aeroportin. Dashtë Zoti ta fitosh këtë proces”, thuhet në mesazhin që Pacolli e ka ndarë me publikun.
Ai ka bërë të ditur se pothuajse çdo ditë pranon dhjetëra letra dhe mesazhe nga vende të ndryshme të botës, ku njerëz të kombësive dhe besimeve të ndryshme shprehin solidaritetin e tyre dhe luten që e drejta të triumfojë.
Pacolli e ka cilësuar këtë mbështetje si një forcë të madhe morale dhe një dëshmi se besimi në drejtësi nuk njeh kufij. Ai ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, po qëndrojnë pranë në këtë betejë, duke theksuar se lutjet dhe besimi i tyre përbëjnë motivim për të vazhduar rrugën drejt mbrojtjes së së drejtës.
Postimi i tij vjen në një kohë kur debati për situatën në Aeroportin e Vlorës vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes publike, ndërsa mbështetja ndaj Pacollit po shtrihet përtej kufijve kombëtarë, duke marrë përmasa gjithnjë e më të gjera ndërkombëtare./rajonipress/

