FIDANISHTJA

Pacolli: “Një investim strategjik po mbahet peng, kërkojmë zbatimin e ligjit dhe shmangien e arbitrazhit ndërkombëtar”

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli ka publikuar një reagim të gjatë lidhur me situatën në projektin e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si një rast të rëndë të cenimit të sigurisë juridike dhe të të drejtave të një investitori strategjik. Ai thekson se bëhet fjalë për një padrejtësi ndaj një investitori që ka angazhuar qindra milionë euro investime dhe mbi 310 milionë euro angazhime të garantuara me kolateralet e veta.

Sipas Pacollit, grupe që, sipas tij, veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe përmes vetëgjyqësisë, nën drejtimin e Valon Ademit, Vegim Hoxhës dhe Bujar Ejupit, në asistencë të Policisë së Shtetit, po imponojnë një logjikë force që, sipas tij, cenon rëndë rendin juridik dhe autoritetin e shtetit.

Ai thekson se MABCO, si kompani zvicerane, është mësuar të operojë në një shtet ku sundimi i ligjit, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe siguria juridike janë themelet e funksionimit të shoqërisë, e jo vetëgjyqësia dhe imponimi me forcë.

Në reagimin e tij, Pacolli bën të ditur se kompania ka kërkuar dhe vazhdon t’i bëjë thirrje SPAK-ut që të thellojë hetimet për të zbardhur nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë struktura të krimit të organizuar apo individë që, sipas tij, duke u fshehur pas institucioneve ose duke përfituar nga mbështetja e tyre, kanë cenuar ligjshmërinë.

Sipas tij, zbardhja e plotë e kësaj çështjeje është në interes të shtetit shqiptar, të drejtësisë, klimës së investimeve dhe besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

Pacolli u drejton gjithashtu një apel mediave dhe opinionistëve, duke theksuar se ato kanë detyrim etik dhe profesional të mos manipulojnë apo helmojnë opinionin publik. Ai rikujton se Kodi i Etikës Gazetareske obligon mediat që çdo informacion dhe qëndrim ta mbështesin në fakte të verifikuara, dokumente dhe realitet, e jo në spekulime, insinuata apo interesa të caktuara, në mënyrë që të mbrohet e drejta e publikut për informim të saktë.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Pacolli deklaron se të gjitha këto sfida po përballohen me durim dhe përgjegjësi vetëm për të shmangur përfshirjen e çështjes në arbitrazh ndërkombëtar, duke paralajmëruar se një proces i tillë do të ishte i dëmshëm jo vetëm për imazhin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për barrën financiare që, sipas tij, në fund do ta paguanin qytetarët shqiptarë.

ARKATANA

Megjithatë, ai shton se dokumentacioni i nevojshëm për nisjen e një arbitrazhi është krijuar pothuajse tërësisht nga vetë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore, nga neglizhenca dhe, siç pretendon ai, nga njëanshmëria e dëshmuar me dokumentacion ndaj MABCO-s, të cilën e cilëson si investitorin e vetëm që mban skeletin e kontratës së koncesionit në aspektin teknik, profesional, bankar, financiar dhe garantues.

Pacolli nënvizon se Aeroporti i Vlorës është gati për të filluar procesin e certifikimit dhe për t’u vënë në operim, ndërsa thekson se tani gjithçka varet nga autoriteti kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila, sipas tij, ka detyrimin ligjor të garantojë zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe të mundësojë funksionimin normal të projektit, si dhe të urdhërojë Policinë e Shtetit që të lirojë rrugët publike, të cilat, sipas tij, prej më shumë se gjashtë javësh mbahen të bllokuara nën mbikëqyrjen e policisë.

Ai vlerëson se çdo vonesë e mëtejshme do të ishte e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit.

Në reagim thuhet se MABCO disponon dy baza të plota juridike për mbrojtjen e të drejtave të saj: Marrëveshjen për Mbrojtjen Reciproke të Investimeve (BIT) ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, si dhe Kontratën e Koncesionit.

Pavarësisht kësaj, Pacolli thekson se kompania vazhdon të zgjedhë rrugën e durimit dhe besimit te drejtësia shqiptare, duke shtuar se do të presë deri në kufijtë e fundit të arsyes që institucionet dhe organet e drejtësisë të veprojnë kundër atyre që, sipas tij, me metoda të vetëgjyqësisë dhe veprime mafioze, po mbajnë peng një investim strategjik dhe po sfidojnë hapur vendimet e Gjykatës së Lartë.

Në fund, ai deklaron se është njeriu i fundit që dëshiron ta çojë shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar, duke theksuar se kërkesa e vetme e MABCO-s është zbatimi i ligjit në Shqipëri, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe mbrojtja e investitorëve nga vetë shteti që i ka ftuar të investojnë.

Sipas Pacollit, kompanisë duhet t’i mundësohet qasja në kantier për të përfunduar punimet dhe për të nisur procesin e certifikimit të Aeroportit të Vlorës, një projekt strategjik me vlerë qindra milionë euro./rajonipress/