Behgjet Pacolli i përgjigjet administratorit të VIA-s: Hapni llogaritë, pranoni auditimin dhe zbatoni vendimet e ortakut me 98% të aksioneve
Biznesmeni dhe investitori shqiptar, Behgjet Pacolli, ka reaguar me tone të ashpra ndaj administratorit të VIA-s, duke kundërshtuar qëndrimet e tij publike dhe duke ngritur një sërë akuzash lidhur me menaxhimin e projektit, transparencën financiare dhe raportet me ortakun mazhoritar, MABCO.
Në reagimin e tij, Pacolli thekson se nuk e njeh personalisht administratorin, përveçse si person emërimi i të cilit është bërë objekt i një procesi gjyqësor dhe që, sipas tij, është vendosur në detyrë përmes një vendimmarrjeje të kundërshtuar ligjërisht nga ortaku që zotëron vetëm 2 për qind të kuotave të shoqërisë.
Ai kujton se MABCO zotëron 98 për qind të kuotave të VIA-s dhe se projekti ekziston falë investimeve, financimit dhe garancive të siguruara nga kjo kompani. Sipas Pacollit, pretendimi se VIA po mbrohet nga MABCO është i pabazuar dhe në kundërshtim me realitetin juridik dhe financiar të projektit.
Pacolli deklaron se MABCO ka investuar dhe angazhuar mbi 310 milionë euro në projekt, investime që sipas tij janë të dokumentuara përmes kontratave, transfertave bankare, dokumentacionit doganor, deklarimeve tatimore dhe proceseve të auditimit.
Në reagim, ai ngre disa pyetje publike për administratorin, duke kërkuar sqarime se nga kush po mbrohet VIA: nga ortaku që zotëron 98 për qind të kuotave, nga garantuesi kryesor i kredisë apo nga investitori që ka mbajtur barrën kryesore financiare të projektit.
Pacolli ngre gjithashtu dyshime serioze mbi menaxhimin e fondeve dhe kontratave. Sipas tij, mbi 6.5 milionë euro të destinuara për Sistemin Digjital të Menaxhimit dhe GSM-në nuk janë përdorur sipas destinacionit fillestar, ndërsa kërkon shpjegime edhe për pagesa që, sipas të dhënave të MABCO-s, tejkalojnë 35 milionë euro ndaj kompanisë 2A Group.
Ai thekson se MABCO ka paguar mbi 95 milionë euro ekskluzivisht për nënkontraktorët dhe furnitorët e projektit dhe sfidon administratorin të pranojë një auditim të pavarur dhe neutral, duke i lënë këtij të fundit edhe të drejtën për të zgjedhur vetë auditorin.
“Një administrator që pretendon se mbron interesat e VIA-s nuk duhet të ketë frikë nga transparenca, auditimi dhe dokumentet”, shprehet Pacolli.
Në deklaratën e tij, ai kujton se administratori është organ ekzekutiv i shoqërisë dhe jo pronar i saj, duke nënvizuar se organi më i lartë vendimmarrës mbetet Asambleja e Ortakëve. Sipas Pacollit, refuzimi për të zbatuar vendimet e Asamblesë së datës 18 qershor 2026 përbën pengim të funksionimit normal të shoqërisë.
Pacolli kritikon gjithashtu faktin që, sipas tij, administratori dhe kompania 2A Group refuzojnë të marrin pjesë në mbledhjet e ortakëve, duke e cilësuar këtë si shmangie nga procesi ligjor i vendimmarrjes.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit lidhet me kontratat e 2A Group. Pacolli pretendon se ekzistojnë disa versione të ndryshme kontratash me vlera që fillojnë nga rreth 53 milionë euro, vazhdojnë me 64.7 milionë euro dhe arrijnë deri në pretendime prej 79.7 milionë eurosh.
Sipas tij, këto dokumente janë hartuar dhe nënshkruar pa miratimin e Asamblesë së Ortakëve, pa dijeninë e ortakut mazhoritar dhe janë mbajtur të fshehta deri në momentin e zbulimit të tyre. Ai pretendon gjithashtu se disa prej këtyre kontratave janë antedatuar me së paku dy vjet dhe kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë arsyet dhe qëllimet e këtyre veprimeve.
Pacolli shprehet se, sipas vlerësimit të MABCO-s, kontratat e kontestuara mund të kenë pasur si qëllim përfitime të padrejta nga TVSH-ja, paraqitje të pasakta të informacionit ndaj institucioneve financiare dhe dëmtimin e interesave të MABCO-s.
Në fund të reagimit, ai kërkon që administratori të zbatojë vendimet e Asamblesë së Ortakëve, të hapë dokumentacionin, llogaritë dhe procesin e auditimit, duke theksuar se VIA nuk është pronë e administratorit apo e një grupi individësh, por një shoqëri koncesionare me interes publik e ndërtuar mbi investimet, garancitë dhe kolateralet e MABCO-s.
Pacolli thekson se MABCO mbetet e përkushtuar për përfundimin e projektit dhe vënien në funksion të aeroportit, por paralajmëron se kjo nuk mund të realizohet pa respektimin e ligjit, transparencën, financimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e investitorit kryesor.
“Le të flasim me dokumente, me fakte dhe me transparencë. Vetëm kështu mund të mbrohen interesat e VIA-s, të shtetit shqiptar dhe të vetë projektit”, përfundon reagimi i Behgjet Pacollit./rajonipress/


