Mobi Casa

Eskalon Behgjet Pacolli: “A sundon ligji apo rojet private në Aeroportin e Vlorës?”

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Vlorë – Kreu i MABCO-s, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër pas bllokimit të sërishëm të qasjes në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke ngritur akuza të rënda për pengim të aktivitetit të ligjshëm të kompanisë që, sipas tij, ka investuar mbi 310 milionë euro në këtë projekt strategjik.

Në një reagim publik, Pacolli shtron një sërë pyetjesh lidhur me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje rolin e institucioneve përballë asaj që ai e cilëson si vetëgjyqësi dhe bllokim të zbatimit të vendimeve gjyqësore.

“Grupet kriminale prapë kanë bllokuar qasjen në Aeroportin e Vlorës ku MABCO ka investuar mbi 310 milionë euro. A është krim bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi? Nëse po, pse nuk po vepron askush?”, pyet Pacolli.

Ai thekson se nëse secili mund të angazhojë roje private për të bllokuar hyrje-daljet, për të penguar zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe për të imponuar vullnetin e tij me forcë, atëherë shtrohet pyetja nëse vendi funksionon sipas ligjit apo sipas forcës.

“Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?”, shprehet ai.

Pacolli ngre dyshime serioze edhe për rolin e kompanive private të sigurisë, duke pyetur se si është e mundur që ato të vendosin se kush hyn dhe kush nuk hyn në një kantier, pavarësisht vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe kërkesave të institucioneve shtetërore.

“Si është e mundur që një kompani sigurie private të bllokojë fizikisht hyrjen në një aset strategjik kombëtar dhe askush të mos mbajë përgjegjësi?”, pyet ai.

ARKATANA

Në reagimin e tij, Pacolli shkon edhe më tej, duke vlerësuar se çështja tashmë ka kaluar kufijtë e një konflikti biznesi dhe është shndërruar në një test për vetë shtetin ligjor.

“Nëse çdo kompani në Shqipëri mund të marrë disa roje private, të vendosë kamionë në hyrje dhe të shpallë veten mbi ligjin, atëherë për çfarë na duhen gjykatat, për çfarë na duhen institucionet dhe për çfarë na duhet shteti?”, deklaron ai.

Sipas tij, sot nuk po diskutohet më vetëm për Aeroportin e Vlorës, por për autoritetin e shtetit dhe respektimin e vendimeve të formës së prerë të drejtësisë.

“Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor. Sot është vënë në pikëpyetje autoriteti i shtetit. Sot shtrohet pyetja themelore: a zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë apo jo? Sepse, nëse një vendim i formës së prerë i Gjykatës mund të bllokohet nga një grup njerëzish me kamionë dhe roje private, atëherë problemi nuk është më Aeroporti i Vlorës. Problemi është vetë shteti ligjor”, thekson Pacolli.

Ai kujton se prej muajsh MABCO po përballet me pengesa të vazhdueshme, vandalizëm, dëmtime të pronës dhe bllokime të punimeve, ndërsa sot, sipas tij, po shihet hapur moszbatimi i ligjit dhe privimi i së drejtës për veprim dhe lëvizje.

“Ku janë institucionet që duhet t’u japin përgjigje qytetarëve? Kjo nuk është më një çështje vetëm e MABCO-s apo e 2A-së. Kjo është një çështje që prek çdo qytetar. Kush i zbaton ligjet në këtë vend? Ligji për shoqëritë tregtare? Vendimet e Gjykatës së Lartë? Apo rojet private?”, përfundon reagimin e tij Behgjet Pacolli, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të garantuar zbatimin e ligjit dhe vazhdimin e punimeve në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri.