UBT

Liria si kategori universale dhe paradoksi i gjykimit të një lufte çlirimtare

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Shefik Sadiku – Është e drejtë e secilit individ të ketë qëndrime personale, simpati apo antipati ndaj figurave publike. Megjithatë, përgjegjësia dhe “faji” për të cilin akuzohen përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është çështje individuale; ai lidhet drejtpërdrejt me fatin kolektiv të një populli dhe me të drejtën e tij për liri. Në këtë kuptim, procesi nuk prek vetëm individë të veçantë, por një përvojë historike të përbashkët.

Historia, siç thuhet shpesh, ka prirje të përsëritet, por jo domosdoshmërisht në të njëjtën formë. Në kontekste të ndryshme historike, pushtetet shtypëse kanë përdorur të njëjtin diskurs: çdo përpjekje për liri është etiketuar si tradhti, çdo kërkesë për dinjitet si rrezik për rendin ekzistues. Ish-Jugosllavia, dhe veçanërisht Serbia, për dekada me radhë, çdo shqiptar që guxonte të vepronte apo të fliste publikisht për liri e shënonte si armik të shtetit. Vetëm shqiptarët, përmes përvojës së tyre të drejtpërdrejtë, e njihnin dhe e ndjenin të vërtetën universale: ai që kërkon liri për një popull të robëruar mund të akuzohet për gjithçka, por kurrë nuk mund të jetë armik i drejtësisë historike.

ARKATANA

Liria e popujve dhe e kombeve, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, nuk mund të përbëjë krim ndaj njerëzimit. Për këtë arsye, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të konceptohet si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”; ajo ka qenë dhe mbetet ushtri çlirimtare për shqiptarët e Kosovës. Çdo interpretim që e mohon këtë realitet bie ndesh jo vetëm me logjikën historike, por edhe me parimet universale të së drejtës dhe të etikës politike. Ai është një qëndrim antilogjik, antihistorik dhe antidialektik.

Për këta burra ndryshe mund të flasin vetëm ata që ishin përballë misionit të tyre: aparati ushtarak, policor dhe politik i shtetit serb. Çlirimtarët e Kosovës vepruan pikërisht kundër këtij misioni shtypës. Prandaj, drejtësia e vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi relativizimin e historisë. Institucionet e drejtësisë, kudo në botë, i afrohen së vërtetës vetëm atëherë kur drejtësinë arrijnë ta çlirojnë nga politika.