Begzad Sinani, nga burgjet politike te drejtimi i Kamenicës, një jetë në shërbim të kauzës shqiptare
Gjilan – Begzad Sinani mbetet një figurë politike e njohur në Kamenicë dhe në skenën lokale të Kosovës, me karrierë të gjatë në qeverisjen komunale dhe angazhim në jetën publike. Ai konsiderohet nga mbështetësit si një drejtues me përvojë, ndërsa sfidat ligjore dhe debati publik rreth veprimtarisë së tij politik mbeten pjesë e diskutimeve të komunitetit.
Në historinë e re politike dhe shoqërore të Kosovës, emri i Begzad Sinanit zë një vend të veçantë si simbol i sakrificës, qëndresës dhe angazhimit të pandalshëm për çështjen kombëtare shqiptare. Ai është nga ata burra që rrugën e jetës nuk e ndërtuan mbi komoditetin, por mbi idealin, vuajtjen dhe përgjegjësinë ndaj popullit.
Begzad Sinani është një politikan kosovar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili ka shërbyer si kryetar i Komunës së Kamenicës.
Ai ka qenë në këtë detyrë për disa mandate, duke përfshirë edhe periudhën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, kur u zgjodh pas balotazhit si kryetar i komunës, me rreth 55% të votave të qytetarëve.
Gjatë mandatit të tij ai ka qenë aktiv në zhvillimin e projekteve në Kamenicë.
I burgosur politik – shkollë e rëndë e atdhedashurisë
Begzad Sinani i përket brezit të veprimtarëve që e paguan me burg angazhimin për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar. Si i burgosur politik, ai përjetoi represionin e drejtpërdrejtë të sistemit shtypës serb, duke u rreshtuar krah qindra shqiptarëve që u ndëshkuan vetëm pse kërkonin të drejta elementare dhe liri për popullin e tyre.
Burgjet për Sinanin nuk ishin fund, por shkollë e qëndresës, ku u kalit karakteri i një njeriu që nuk u thye, nuk u zmbraps dhe nuk u pendua kurrë për rrugën e zgjedhur.
Veprimtar i kauzës kombëtare
Pas daljes nga burgu, Sinani nuk u tërhoq nga jeta publike. Përkundrazi, ai e shndërroi përvojën e dhimbshme në motiv për veprim, duke u bërë pjesë aktive e proceseve politike dhe shoqërore që synonin forcimin e pozitës së shqiptarëve, veçanërisht në Kosovën Lindore dhe Anamoravë.
Ai njihet si mbrojtës i fuqishëm i kauzës shqiptare, me qëndrime të qarta, të drejtpërdrejta dhe pa kompromis kur ishte në pyetje interesi kombëtar, liria dhe dinjiteti i qytetarëve.
Nga veprimtari në drejtues institucional
Angazhimi dhe besimi qytetar e sollën Begzad Sinanin edhe në krye të Komunës së Kamenicës, ku shërbeu si kryetar. Në këtë detyrë, ai u përpoq të sillte frymën e njeriut që e njeh vuajtjen, padrejtësinë dhe nevojat reale të qytetarëve.
Përkrahësit e tij e vlerësojnë si drejtues që nuk e harroi kurrë prej nga erdhi, duke e konsideruar pushtetin si shërbim dhe jo si privilegj.
Një figurë që mbetet referencë
Begzad Sinani mbetet një figurë që nuk mund të lexohet vetëm përmes posteve politike, por përmes biografisë së sakrificës. I burgosur politik, veprimtar i kauzës kombëtare dhe drejtues institucional, ai përfaqëson një brez që e ndërtoi lirinë me çmim të lartë.
Në kohë kur kujtesa kolektive shpesh zbehet, figura si Begzad Sinani janë dëshmi se liria dhe shteti nuk janë dhuratë, por fryt i sakrificave konkrete dhe njerëzve që guxuan të paguajnë çmimin më të rëndë.
Begzad Sinani kujton arrestimin dhe burgosjen më 4 mars 1986
Ish-kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani, rikthehet në kujtimet e 34 viteve më parë, kur ishte student i vitit të dytë të Fakultetit Ekonomik dhe përjetoi një nga momentet më të vështira të jetës së tij: arrestimin dhe burgosjen nga regjimi serb.
“Më 4 mars 1986, në mëngjesin e hershëm, në Bregun e Diellit në Prishtinë, u arrestova së bashku me qindra të rinj të tjerë studentë, nën akuzën për ‘veprimtari irredentiste dhe armiqësore’, me qëllim të fundit bashkimin me Shqipërinë,” kujton Sinani.
Burgosja e anëtarëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, për rrethin e Gjilanit dhe Kamenicës, ishte pjesë e represionit të regjimit serb ndaj rinisë që kërkonte liri dhe shtetësi për Kosovën.
“Në atë vorbull të kohës, ajo që na mbante gjallë ishte ideali për Republikën e Kosovës. Ne ishim të rinj plot energji dhe vrull, të gatshëm për çdo sakrificë. Ideali ynë ishte i pathyeshëm; nuk pyesnim për pasojat, madje edhe kur i dinim mirë, sepse besonim te populli liridashës. Krenaria dhe besimi ynë për lirinë na udhëhiqnin çdo ditë. Ne e ushqenim jetën me idealin për liri, dhe sot e njëjtë mbetet besimi ynë,” shprehet Sinani.
Në mëngjesin e 4 marsit, Bregu i Diellit u rrethua nga Njësitë Speciale Serbe të Policisë, të vendosura në Ajvali, të cilat zbatuan një plan masiv arrestimesh. Rreth 520 studentë dhe studente nga e gjithë Kosova u burgosën vetëm për kërkesën e tyre për një Kosovë të lirë.
“Më 1986, Gjykata e Qarkut në Gjilan na shpalli aktgjykimin dhe na dënoi me vite burg të rënd për pjesëmarrjen në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. Unë do të kaloj muaj dhe vite në Burgun e Qarkut të Gjilanit, në Burgun Qendror famëkeq të Beogradit dhe në burgun e Gjurakovcit,” rrëfen Sinani.
Në përfundim të rrëfimit, ai dërgon një mesazh të qartë për shokët dhe rininë:
“Shëndet, lumturi dhe mirëqenie për të gjithë shokët që përjetuan burgjet dhe kazamatet serbe! Kujtimi i sakrificës sonë është një detyrë morale dhe një kujtesë se liria kërkon guxim, vendosmëri dhe besim te e drejta.”/rajonipress/




