Hidromorava

Morena Aliu shpallet Pianistja më e mirë e Vitit 2025, një sukses që afirmon artin pianistik kosovar

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Talent, disiplinë dhe përkushtim artistik janë vlerat që e kanë shoqëruar rrugëtimin e pianistes së re Morena Aliu, e cila është shpërblyer me çmimin Pianistja më e mirë e Vitit 2025. Nxënëse e Shkollës së Muzikës në Gjilan dhe e udhëhequr profesionalisht nga profesoresha Hajrije Bislimi, Morena përfaqëson një prej zërave më premtues të muzikës klasike kosovare.

Ky çmim nuk është vetëm një vlerësim individual, por dëshmi e një pune të vazhdueshme pedagogjike dhe artistike që buron nga institucionet kulturore dhe arsimore të vendit.

Morena Aliu ka shfaqur një talent të jashtëzakonshëm pianistik, të shoqëruar me ndjeshmëri muzikore, interpretim të pjekur dhe disiplinë akademike, elemente thelbësore për ndërtimin e një profili serioz artistik.

Momenti i shpalljes së emrit të saj si fituese u përcoll me duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm. E buzëqeshur dhe me emocione të përmbajtura, Morena doli në skenë për të pranuar çmimin, i cili, sipas saj, është fryt i punës së palodhshme dhe i përkushtimit profesional të profesoreshës së saj, Hajrije Bislimi.

“Ky çmim është shumë domethënës për mua. E përjetoj si një motivim të fuqishëm për të vazhduar rrugëtimin tim profesional me edhe më shumë përkushtim,” është shprehur Aliu për rajonipress, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes pedagogjike në zhvillimin e saj artistik.

ARKATANA

Sukseset e Morenës nuk kufizohen vetëm në skenën vendore. Ajo ka marrë pjesë në garën ndërkombëtare të pianos “PianoKey 2025”, ku, së bashku me nxënës të tjerë, përfaqësoi denjësisht shkollën dhe Kosovën, duke e renditur vendin tonë në hartën e konkurrencave prestigjioze pianistike.

Në këtë garë, Morena Aliu fitoi çmimin e parë, së bashku me Mbara Bllaca dhe Zahir Nasufi, ndërsa Jara Morina u vlerësua me çmimin e dytë.

Rasti i Morenës Aliu dëshmon se investimi në arsimimin artistik, në mentorimin profesional dhe në talentet e reja është rruga e duhur për ndërtimin e një identiteti kulturor të qëndrueshëm.

Ky sukses është jo vetëm krenari personale, por edhe kontribut i çmuar në afirmimin e artit pianistik të Kosovës në arenën ndërkombëtare./rajonipress/