Zeqirja Rexhepi merr çmimin artist i vitit për artet pamore
Gjilan – Piktori me përmasa ndërkombëtare Zeqirja Rexhepi ka marr çmimin si artist i vitit për artet pamore në Gjilan. Është nder dhe respekt kur merr ketë çmim të vlefshëm në vendlindje. Faleminderit #Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport Gjilan. Respekt për komisionin vlerësues, shoqata e artit pamor për nominimin. Faleminderit Gjilanit ka shkruar Zeqirja Rexhepi.
Ka njerëz që e përfaqësojnë shtetin me fjalë, dhe ka të tjerë që e bëjnë këtë me vepra. Zeqirja Rexhepi i përket kësaj të dytës, artist që me penel, murale monumentale, film, ligjërim universitar dhe prani të denjë mediatike ka ditur ta mbrojë, kultivojë dhe afirmojë Kosovën më mirë se shumë diplomatë zyrtarë.
Piktor me renome ndërkombëtare, ligjërues universitar, dizajner dhe skenarist filmash, Zeqirja Rexhepi është shndërruar ndër vite në një ambasador kulturor të Kosovës, fillimisht në Kanada e më pas edhe më gjerë. Ai e ka bartur identitetin shqiptar dhe kosovar në galeri, universitete, teatro, institucione shtetërore dhe platforma mediatike kanadeze, duke e bërë artin gjuhë universale të përfaqësimit.
Të përmbledhësh krijimtarinë e Zeqirja Rexhepit në një shkrim të vetëm është pothuajse e pamundur. Për të janë realizuar dokumentarë, shkrime, analiza dhe portrete artistike në Kanada dhe më gjerë. Çdo hap i tij profesional është i dokumentuar dhe i vlerësuar nga komuniteti artistik ndërkombëtar.
Me Akademinë e Arteve të përfunduar në Prishtinë dhe specializimin për dizajn në Arbonë të Zvicrës, Rexhepi u integrua shpejt në Halifax të Kanadasë, duke u bërë një emër i respektuar në rrethet akademike dhe artistike. Fillimisht punoi si violinist në Ships Company Theatre (1999), ndërsa më pas nisi rrugëtimin e ekspozitave personale, duke hapur galeri në vitet 2000, 2001, 2005, 2007, 2008 dhe 2009 – kryesisht në galeri universitare prestigjioze kanadeze.
Ai është piktori i vetëm me pagesë në Dalhousie University, ndërsa një nga veprat e tij u përzgjodh nga komisioni profesional në 30-vjetorin e Galerisë “Art Center”. Kërkesa për punën e tij ka ardhur nga të gjitha shtresat shoqërore: nga institucionet kulturore deri te ushtria kanadeze, për të cilën ka realizuar piktura zyrtare.
Zeqirja Rexhepi ligjëron teknikën e vajit në galeri dhe institucione të ndryshme në Halifax, është anëtar i shumë organizatave figurative dhe filmike, fitues i çmimeve prestigjioze dhe laureat i çmimit të Mbretëreshës Elizabeth, për të cilin u nominua nga vet artistët kanadezë, një nder i rrallë dhe simbolik.
Ai ka mbetur i gdhendur edhe në historinë botuese të Kanadasë si autor i kopertinave të librave universitarë, ndërsa si skenarist ka realizuar 22 filma, për të cilët janë prodhuar dokumentarë nga disa televizione kanadeze. Së fundmi, Rexhepi është nominuar edhe për titullin e lartë “Urdhri i Kanadasë”, një vlerësim që, siç shprehet vetë ai, “më nderon mua, por mbi të gjitha Kosovën”.
“Nuk kam punuar vetëm për Kanadanë, por edhe për Kosovën. Kosova është ëndrra ime. Jam përpjekur që në çdo hap diplomatik ta prezantoj shtetin më të ri të botës me dinjitet dhe krenari”, thekson Rexhepi.
Përveç artit personal, ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në gjallërimin e komunitetit shqiptar në Kanada. E gjithë familja Rexhepi është e lidhur me artin: muzicientë, aktorë, gazetarë e piktorë. Koncertet me muzikë shqipe, aktivitetet kulturore dhe paraqitjet publike kanë qenë të shumta, duke u pasqyruar gjerësisht në media – aq sa, siç thotë ai, “janë disa kilogramë gazeta të shkruara për punën time”.
Ndërkohë, kur ndodhet në Kosovë, Rexhepi nuk fsheh zhgënjimin për trajtimin e krijuesve. “Më dhemb që krijuesi kosovar ende nuk ka kushte e përkrahje. Në Kanada takoj ambasadorë e njerëz të nivelit të lartë, ndërsa këtu ende jo. Ndoshta sepse nuk jam tip imponues”, shprehet ai me sinqeritet.
Zeqirja Rexhepi mbahet mend në Kosovë edhe për kontributet e hershme: si kuadër i parë në fabrikën e Tekstilit në Gjilan dhe për muralin monumental në Kishën e Binçës, realizuar bashkë me Demir Behlulin, vepër që ende qëndron si dëshmi e talentit të tij.
Sot, veprat e Zeqirja Rexhepit ndodhen në aeroporte, institucione ushtarake, universitete dhe hapësira publike të Kanadasë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme të një shqiptari intelektual, punëtor dhe vizionar.
Ai mbetet shembulli më i mirë i mërgimtarit që nuk u tret, nuk u humb dhe nuk u asimilua, por u ngrit, ndikoi dhe përfaqësoi. Një maestro i artit dhe një diplomat i heshtur i Kosovës në botë.
Veprat e tij, të pranishme në aeroporte, institucione ushtarake dhe hapësira publike të Kanadasë, janë gjurmë të përhershme të një shqiptari intelektual, punëtor dhe vizionar, një emër që e ka nderuar Kosovën në çdo kohë dhe në çdo vend./rajonipress/


