Konfiskimi i pasurisë së paligjshme, drejt lehtësimit
Pas analizës së bërë të legjislacionit në fuqi të kësaj fushe, grupi punues ka rekomanduar që të hartohet ligj i ri, i cili do të përcaktojë mundësinë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme edhe pa aktgjykim dënues për kategori të caktuara të veprave penale.
Në fillim të këtij viti, Ministria e Drejtësisë pati njoftuar se ka formuar grupin punues për përgatitjen e dokumentit konceptual për fushën e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme përkatësisht për fushën antimafia, por akoma nuk po jep të dhëna se deri ku ka arritur procedura e hartimit të draftit dhe nxjerrjes së tij për diskutim publik.
Nga informacioni i siguruar nëpërmes Zyrës për informim të Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se ky projektligj specifik akoma është në procedurë të hartimit, nga një grup i veçantë punues, prej ekspertëve të fushës, nëpërmes të krahasimit të modeleve që i kanë vendet e tjera në rajon.
Grupi punues i udhëhequr nga koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, prokurori, Shqipdon Fazliu, përbëhet edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, përkatësisht gjyqtarë të Departamentit të Krimeve të Rënda, përfaqësues nga Këshilli Prokurorial, përkatësisht prokurorë të Departamentit të Krimeve të Rënda, përfaqësues nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës.


