Tetova në zi, 5 të vdekur dhe shumë të lënduar
“Natë kritike ka qenë. Kemi dy fëmijë të vdekur. Njërin e kanë nxjerrë, mundohemi edhe tjetrin ta nxjerrim. Dyvjeçar është fëmija, vajza është më e rritur pak” , deklaroi Agim Yzeiri, babai i fëmijëve të vdekur në Shipkovicë. Në Tetovë sot është ditë zie.
Ka mjaftuar vetëm një rrebesh shiu, që nuk ka zgjatur më shumë se 2 orë, dhe komuna e Tetovës të shndërrohet në një “cunami” shqiptar. Ky shi i shumëpritur që erdhi pas një vape të madhe u kthye në tragjedi, duke lënë pas pesë persona të vdekur, dhjetëra të lënduar dhe më shumë se 200 shtëpi të dëmtuara.
Dëmet janë shumëfish më të mëdha, pasi që shumë rrugë të qytetit të Tetovës, të fshatrave Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Poroj, Shipkovicë etj. janë dëmtuar plotësisht.
Fshati Shipkovicë është vendbanimi më i prekur nga të reshurat e mëdha të shiut. Deri më tani shtabi i emergjencës në këtë fshat ka konstatuar 3 persona të vdekur, kurse 1 person akoma udhëhiqet si i zhdukur për shkak se trupi i tij ende nuk është gjetur. Trembëdhjetë qytetarë janë të lënduar, 113 persona janë të evakuuar prej 20 shtëpive, prej të cilave në tërësi janë të shkatërruara, kurse të gjithë shtëpitë në fshat kanë dëme të mëdha materiale.
“S’kam koment, natë kritike ka qenë. Kemi dy fëmijë të vdekur të vegjël, njërin e kanë nxjerrë, mundohemi edhe tjetrin ta nxjerrim. Dyvjeçar është fëmija, vajza është më e rritur pak”, deklaroi Agim Yzeiri, familjar i dy fëmijëve të vdekur. “Kemi mbetur pa asgjë nuk di edhe unë çka të them, s’mund ta përshkruaj… i kemi dy të vdekur. Për një kohë të shkurtër u bë zi keq, ndodhi, u ndal shiu dhe ja e shihni vetë si është nuk e di çka të them”, thotë ai.
Në ndihmë të banorëve që në natën e mbrëmshme kanë dalë një pjesë e ushtrisë, Komunës dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Drejtuesi i Shtabit të Krizës së fshatit Shipkovicë, Nijazi Kadria, ka falënderuar të gjitha institucionet që kanë ardhur për ndihmë, ndërsa kërkon që të ndihmohet edhe me ushqim dhe ujë të pijshëm./zeri/


