Qindra miliona dëme nga informaliteti
Vetëm një importues, me vetëm një produkt, për vetëm 10 vjet i ka shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës evazion fiskal prej rreth 150 milionë euro. Një pjesë e madhe e importit, prej mbi 90 % të importeve, me të cilat Republika e Kosovës i plotëson nevojat themelore dhe kërkesat e qytetarit konsumator, është kontrabandë, zhvillohet jashtë rrugëve legale dhe natyrisht se qarkullojnë paranë me prejardhje të dyshimtë”, thotë kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku
Kosova, sipas njohësve të ekonomisë, është vendi me shpëlarjen më të madhe të parasë në rajon, ku shumica e pagesave bëhen në dorë e jo përmes bankave, por edhe kur bëhen përmes bankave nuk kërkohet prejardhja e parasë, ose ajo bëhet sa për sy e faqe dhe nuk kontrollohet nga askush. Kjo dukuri dhe evazioni i madh fiskal, në anën tjetër, po e mbysin ekonominë e Kosovës, kurse Qeveria, në vend që të merret me këtë gjë, në vazhdimësi hesht ndaj këtyre krimeve ekonomike, sepse është bërë bashkë me bizneset e mëdha, të cilat e shfrytëzojnë këtë amulli për t’u pasuruar për vete, duke mos dhënë asgjë, ose fare pak kontribut për shtetin.
Njohësi i mirë i aktualitetit dhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se Republika e Kosovës nuk ka treg vendor, as ekonomi tregu të lirë dhe nuk mund të ketë as strategji të zhvillimit ekonomik, por lejon dhe krijon kushte të volitshme për pastrim parash./kosova sot/


