E hëna Speciale
Odiseada rreth krijimit të Gjykatës Speciale përfundimisht pritet të përmbyllet këtë të hënë.
Kryesia e Kuvendit të premten ka vendosur që Specialja të dalë në seancë të legjislativit pas dy ditëve, pas vendimit që mori dje ekzekutivi i vendit për riprocedim të amendamenteve kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara.
Partitë e koalicionit qeverisës të premten u shprehën të bindura se të hënën do të kalojë Specialja në Kuvend, duke bërë të ditur se të gjithë deputetët e tyre do të votojnë pro saj, edhe ata që votuan më herët kundër apo që abstenuan, përderisa partitë opozitare vlerësuan se me këtë riprocedim po vritet demokracia.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të premten u karakterizua me përplasje të forta dhe kundërshtime të mëdha të opozitarëve, në të cilën morën pjesë shefat e grupeve parlamentare./zeri/

