Thaçi i ka siguruar votat për Specialen
Atë që do të duhej ta bënte kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po e bën zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, i cili bëri të ditur se Gjykata Speciale do të votohet javën e ardhshme në Kuvend.
Thaçi e ka konfirmuar këtë pas takimit të dytë me deputetët e tij. I pari i PDK-së ka thënë se formimi i speciales është një zotim ndërkombëtar i Kosovës, raporton KTV.
Kjo është hera e dytë që Hashim Thaçi është detyruar t’i mbledhë deputetët e PDK-së, në mënyrë që t’i bindë për të votuar Gjykatën Speciale.
Por, i pyetur nga KTV-ja nëse ka arritur t’i bindë deputetët e vet, Thaçi nuk ka kthyer përgjigje dhe është larguar nga mediet.
E vetmja që është deklaruar pas takimit ka qenë deputetja Ganimete Musliu, e cila nuk ka hezituar të tregojë se nuk do t’i nënshtrohet kërkesës së kryetarit të partisë, transmeton Koha.net.
Pas këtyre takimeve KTV-ja merr vesh se Thaçi tashmë i ka siguruar votat e mjaftueshme për të kaluar amendamentet kushtetuese.
http://koha.net/?id=27&l=68493

