Ischinger: Mos u frikësoni nga Gjykata Speciale
Emisari i dikurshëm për zgjidhjen e statusit të Kosovës, gjermani Wolfgang Ischinger ka hedhur poshtë dilemat se Këshilli i Sigurimit nuk mund të themelojë Gjykatën Speciale.
“Këshilli i Sigurimit ka mandatin dhe autoritetin e plotë që të marrë vendime, të cilat i përkasin sigurisë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe nëse kjo gjykatë mendon se në kuadër të detyrave të saj është edhe themelimi i një Gjykate të tillë, atëherë ky organ, pra Këshilli i Sigurimit do ta marrë të drejtën që të themelojë një gjykatë të tillë dhe ky vendim merret nga 15 shtete anëtare. Por unë dëshiroj shumë që vendimin ta marrë vetë shteti juaj, ai ta ketë përgjegjësinë e jo bashkësisë ndërkombëtare t’i lihet kjo”, ka thënë ambasadori Ischinger për “RTV21” .
Ishinger vlerëson se është zgjidhje e pavolitshme për Kosovën, nëse kjo çështje bartet për t’u vendosur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Sipas tij, deputetët duhet të kenë guximin që ta shtyjnë përpara formimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht se kush mund të jenë të dyshuarit potencialë.
“Askush në Kosovë nuk duhet që të ketë frikë nga themelimi i një gjykatë të tillë, kjo gjykatë do të sillte vendime që do japin drejtësi, jo padrejtësi dhe do të punonte në bazë të parimeve të një shteti ligjor, ky është qëllimi. Duhet të ketë drejtësi dhe që të ndriçohen çështjet e së kaluarës dhe kjo do të jetë mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin drejt BE-së”, ka thënë Ischinger.
Si emisar që ishte për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Ishinger thotë se e njeh mirë historinë e Kosovës, andaj porosit që të mos etiketohet kjo gjykatë se do të bëjë drejtësi selektive. Ndërsa siç thotë ai, po nuk e themeloi Kosova këtë Gjykatë, atëherë do të dërgojë sinjal të keq në botë, se nuk e respekton sundimin e ligjit.


