PTK drejt humnerës
Kompania publike, Postë-Telekomi i Kosovës (PTK), po futet drejt një krize të thellë financiare, si pasojë e humbjes së vazhdueshme të tregut. Të hyrat totale të PTK-së gjatë vitit 2014 kanë qenë 99 milionë e 511 mijë euro.
Por, nëse të dhënat e njëjta i krahasojmë me ato të vitit të kaluar shihet se të hyrat e PTK-së kanë rënë për rreth 29 milionë euro. Por, nëse të dhënat krahasohen më vitin 2007 atëherë shihet se rënia e të hyrave është më e madhe se 81 milionë euro. Bazuar në të dhëna zyrtare po ashtu shihet se fitimi i pastër i korporatës gjatë vitit që lamë pas është vetëm 16.5 milionë euro, derisa një vit më parë
ishte 36 milionë euro. Në bazë të të dhënave të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare shihet qartë se në tremujorin e parë të këtij viti, Postë-Telekomi i Kosovës ka 53 për qind të tregut të telefonisë mobile në vend./zeri/


