Thaçi vazhdon reformën pa opozitën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish nuk ka arritur t’i mbledhë të gjitha partitë politike në nismën e tij për kryerjen e reformës zgjedhore. Edhe në takimin e dytë për këtë çështje kanë munguar përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare, të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nismës për Kosovën”.
Pavarësisht kësaj, partnerët e koalicionit qeverisës dhe subjektet tjera të vogla e kanë mbështetur këtë nismë. Por, debatet për reformë zgjedhore pa opozitën, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, janë shenja të para të dështimit. Megjithatë në takimin e së premtes u tha se do të formohen dy grupe punese për kryerjen e reformës zgjedhore, shkruan gazeta ‘Zeri’.
“Javën e ardhshme do t’i formojmë dy nëngrupe, atë për amendamentimet kushtetuese, i cili mendojmë se duhet ta kryejë punën deri më 10 dhjetor si propozim dhe nëngrupin për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale, i cili si propozim duhet ta kryejë punën deri më 5 dhjetor”, ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi.
I pari i vendit më tej ka përsëritur qëndrimin e tij se duhet të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit. Thaçi po ashtu ka ritheksuar idenë për zvogëlimin e numrit të ulëseve të deputetëve në Kuvend, gjë e cila do të kërkohen ndryshime kushtetuese. Ai gjithashtu ka thënë se personat ndaj të cilëve ka aktakuza nuk duhet të futen në listat zgjedhore.
Kurse zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se duhet të mendohet mirë çështja e pragut zgjedhor./zeri/


