Behgjet Pacolli: Mos lejoni që mosmirënjohja t’ju ndryshojë, e mira bëhet për vlerat që përfaqësoni
Prishtinë – Ish-presidenti dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka publikuar një mesazh reflektues, duke theksuar se mosmirënjohja, padrejtësia dhe zhgënjimet nuk duhet ta ndryshojnë karakterin dhe vlerat e njeriut.
Në një postim të bërë publik, Pacolli shprehet se gjatë jetës ka kuptuar se bota nuk është e përsosur dhe se gjithmonë do të ketë mashtrim, hipokrizi, padrejtësi dhe njerëz që nuk e kthejnë të mirën me të mirë. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, nuk duhet lejuar që sjelljet negative të të tjerëve të ndikojnë në mënyrën se si veprojmë dhe i trajtojmë njerëzit.
“Mua mosmirënjohja nuk më ndryshon”, shkruan Pacolli, duke ftuar qytetarët të vazhdojnë të bëjnë mirë edhe kur nuk marrin vlerësim apo duartrokitje. Ai thekson se vlera e së mirës nuk matet nga reagimi i të tjerëve, por nga pastërtia e qëllimit me të cilin ajo bëhet.
Në fund të mesazhit, Pacolli nënvizon se ekziston një drejtësi më e madhe se gjykimi i njerëzve dhe një qëllim më i lartë se lavdërimi publik, duke i inkurajuar ndjekësit të mbeten besnikë ndaj parimeve dhe vlerave të tyre, pavarësisht sfidave apo zhgënjimeve që mund të hasin në jetë./rajonipress/


