Certifikohen 30 fermerët përfitues të serrave nga Fondacioni Kosovë-Luksemburg
Viti – Në fshatin Skifteraj të Vitisë, është zhvilluar sot ceremonia e shpërndarjes së certifikatave mbi pronësinë, për fermerët përfitues të serrave nga Fondacioni Kosovë Luksemburg në kuadër të sektorit për gjenerimin të të ardhurave.
Në ceremoninë e sotme, u certifikuan 30 pronarë të serrave, ndërkohë që në grupin e dytë pritet të certifikohen edhe 26 të tjerë në fusha të tjera që kanë qenë përfitues të fidanëve të mjedrës, dredhëzës etj. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke falënderuar Fondacionin për investimet e shumta që ka bërë në realizimin e projekteve të shumta e sidomos në fushën e bujqësisë dhe të edukimit. “Falënderoj udhëheqësit e Fondacionit Kosovë-Luksmeburg për bashkëpunimin tejet të mirë, ku kemi arritur realizimin e shume projekte ne komunën e Vitisë, siç janë vendosja e kamerave të sigurisë ne shkolla, sigurimin e ujit të pijes nëpër shkolla, serra-leje te nxehta për shume fermer, kemi hap shume kanale qe kane përmbytë qindra hektar tokë nga vërshimet, kemi rregulluar edhe lumin Letnica“ ka thënë Haliti.
Ai ka përmendur edhe kontributin e Fondacionit në hapjen e zyrës së investimeve në komunën e Vitisë, ndërkohë që ka porositur fermerët angazhimin e tyre në punimin e sipërfaqeve bujqësore.
Ndërkaq drejtori i Fondacionit Kosovë-Luksemburg Fisnik Beqiri , ka theksuar bashkëpunimin e mirë që ka pasur me strukturat udhëheqëse të fshatrave dhe fermerët e këtyre vendbanimeve, duke shpresuar se një bashkëpunim i tillë do të vazhdoj edhe në 3 vitet e ardhshme.
Bazuar në ndihmën nga fondacioni, përfitimin dhe angazhimin individual e familjarë gjatë punës së tyre në kultivimin e kulturave në serra, fermerët përfitues u janë mirënjohës fondacionit Kosovë-Luksemburg.
Ata njëherit vlerësojnë lart bashkëpunimin që kanë pasur gjatë gjithë kohës me fondacionin, ku shumica e përfituesve të serrave kanë qenë nga gjinia femërore. Kryetari i këshillit të fshatit Skifteraj Demush Sadiku, ka bërë të ditur se në kuadër të projektit 2 vjeçar të fondacionit, ka pasur 2 raunde aplikimi, ku në raundin e parë kanë përfituar 30 fermer nga 3 vendbanimet Skiftera, Radivojc dhe Budrikë, prej të cilëve 20 kanë qenë nga fshati Skifteraj të cilët nga përfitimi i tyre kanë siguruar të ardhura, si për familje ashtu edhe për tregun.
Fondacioni Kosovë-Luksemburg, në Skifteraj ka investuar edhe në realizimin e disa projekteve të tjera me rëndësi si: trajnime për fermer, pastrimin e kanaleve fushore, instalimin e nxemjes qendrore në objektin e shkollës, si dhe në riparimin e kulmit të shkollës së fshatit./rajonipress/


